Sulejmani: Procesi i votimit u zhvillua në mënyrë të qetë dhe demokratike

Sulejmani: Procesi i votimit u zhvillua në mënyrë të qetë dhe demokratike

Zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të koalicionit VLEN, Driton Sulejmani, deklaroi në një konferencë për media se procesi i votimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike në të gjitha komunat ku sot u votua.

“Procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë parregullsi dhe në frymë të përgjegjësisë qytetare,” theksoi Sulejmani, duke shtuar se VLEN shpreh mirënjohje për qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre të votës me qetësi dhe dinjitet, duke dëshmuar kulturë të lartë demokratike.

Ai bëri thirrje që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ta përmbyllë fazën e numërimit të votave me transparencë, saktësi dhe profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe vullnetin e qytetarëve.

Sipas vlerësimeve të koalicionit, kandidatët e VLEN-it kanë marrë mbështetje të gjerë në komunat ku garojnë dhe pritet që rezultatet të konfirmojnë këtë besim.

“VLEN do të vazhdojë ta ndjekë me kujdes procesin deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe mbetet e përkushtuar ndaj zgjedhjeve të ndershme, respektimit të çdo vote dhe forcimit të besimit në proceset demokratike,” përfundoi Sulejmani.

MARKETING