Struga sot në Islandë, kërkon kualifikimin historik në grupet e Conference League

Struga sot në Islandë, kërkon kualifikimin historik në grupet e Conference League

Struga për të bërë historinë në Islandën e largët. Këtë të enjte skuadra shqiptare, kampione e Maqedonisë së Veriut zbret në fushën e Breidablik, me misionin për të shkruar një faqe të artë në histori duke avancuar në grupet e Conference League.

Mision aspak i lehtë, duke qenë se për të kaluar ishullorët në stadiumin Kópavogsvöllur, djemve të Shpëtim Duros do tu duhet të përmbysin humbjen 1-0 që pësuan një javë më parë në Ohër, por edhe pse mund të duket e çuditshme, është pikërisht ajo ndeshje baza për t’u nisur në kërkim të një përmbysjeje të madhe.

Struga komandoi takimin, pati një mori rastesh për të shënuar, duke demonstruar se nuk kishte asgjë për t’i patur zili rivalëve, ndoshta me përjashtim të fatit, me islandezët që shpëtuar disa herë nga shtyllat.

Ndoshta këtë herë edhe fati do të jetë më bujar me Strugën që gjithsesi do të përpiqet që fatin e saj ta ndërtojë vetë, duke u futur në fushë me bindjen dhe motivimin se mund t’ja dalin të përmbysin ishullorët, natyrisht duke kërkuar të jetë më vrastare në zonën kundërshtare, ku në takimin e parë lojtarët e strugës ishin jashtëzakonisht bujarë me rivalët.

Edhe pse luhet në një transfertë të largët, stadiumi me rreth 3000 spektatorë e aq më pak kundërshtari nuk mund të intimidojnë djemtë e Duros që edhe pse me një buxhet modest ka ndërtuar një grup solid, ku eksperienca ndërthuret me talentin dhe tani kërkon që të bëjë një mrekulli të vërtetë sportive në Islandën e largët në një ndeshje për tu mbajtur mend.

MARKETING