Struga fiton ndaj Makedonija Gjorçe Petrov, Vardar triumfon në fund me penalti
Struga ka shënuar fitore bindëse 3:0 ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit në ndeshjen e parë të xhiros së 23-të në elitën e futbollit vendor. Struganët e vendosën fituesin që në pjesën e parë, duke realizuar tre gola dhe duke mos i lënë hapësirë kundërshtarit për reagim. Në listën e realizatorëve për vendasit u regjistruan Hamza, Bojku dhe Jevtoski, të cilët siguruan avantazhin e qartë që në 45 minutat e para. Fitore ka regjistruar edhe Vardari, që mposhti Brera Strumicën me rezultat minimal 1:0. Golin e vetëm të takimit e shënoi Zakariq nga pika e bardhë në minutat e fundit, duke i siguruar tre pikë të rëndësishme skuadrës së tij. Xhiroja e 23-të vazhdon të dielën me përballjet Tikveshi – Shkupi dhe Shkëndija – Arsimi, ndërsa do të mbyllet të hënën me dy takime të tjera. Sileksi përballet me Pelisterin, ndërsa Bashkimi luan kundër Rabotniçkit.

