Spiropali- Gashi: Korridori VIII ëndërr e shqiptarëve, mezi pres që rrugën Tiranë-Shkup ta bëj nga ky aks
Kryetarja e parlamentit të Shqipërisë Elisa Spiropali ka zhvilluar një takim me homologun e saj në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi.
Spiropali tha se Shqipëria ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Ajo tha se korridori VIII është ëndërr e shqiptarëve, duke shtuar se mezi pret që rrugën Tiranë-Shkup ta bëjë nga ky aks rrugor.
“Në Shqipëri i është kushtuar një vëmendje e posaçme zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut. Procesi zgjedhor ishte i standardeve europiane, për të cilat ju përgëzojmë.
Rotacioni politik nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Jemi të gatshëm të vijojmë kontaktet dhe dialogun politik. Ne flasim shqip, kemi një gjak e një gjuhë, por e dimë që rajoni ynë ndodh që të trazohet dhe marrëdhëniet janë të ndërlikuara.
Sot me sy nga e ardhmja dhe me busull nga Brukseli, historia e së ardhmes do të ndikojë në politikat e ditës. Kush na dëgjon, meqë po flasim për BE, tundin kokën e psherëtijnë me lodhje me shumë mosbesim. Korridori i VIII ëndërr e shqiptarëve dhe jo vetëm. Me zi pres që rrugën Tiranë-Shkup ta bëj nëpërmjet këtij korridori”, tha Spiropali.