Spasovski: Për tabelat e regjistrimit do të sjellim zgjidhje e cila do të jetë më e mira për qytetarët

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski,  në lidhje me zgjidhjen e mundshme të paralajmëruar  për përdorimin e etiketave në tabelat e regjistrimit në vend të dhënies së tabelave të reja si obligim nga Marrëveshja e Prespës, theksoi se kjo zgjidhje është në fazë të avancuar, por në fund do të bisedohet në mbledhje të Qeverisë për vendimin përfundimtar.

“Si MPB konsiderojmë se njëra nga zgjidhjet e mundshme është të vendosen etiketa. Me etiketa praktikisht pa asnjë harxhim ose një harxhim shumë të vogël, të përmbushet ky obligim ligjor”, tha ministri Spasovski në programin e mëngjesit të Televizionit kombëtar.

Ministri Spasovski theksoi se kemi tri kategori të automjeteve, të qytetarëve të cilët posedojnë automjete të këtilla.

“Kemi tabela regjistrimi me tre numra të cilat janë shumë të vjetra, të cilat nuk janë ndërruar asnjëherë, kemi rreth 220-230.000 të cilat praktikisht janë me MK dhe tabela të reja me 4 numra të cilat duhet të ndërrohen dhe një numër të njëjtë të cilat tani më janë ndërruar, dmth. mbi 220-230 mijë janë ndërruar”, theksoi ministri Spasovski.

Ministri Spasovski potencoi se për MPB-në më e rëndësishme është të sillet zgjidhja më e mirë.

“Për ne është e rëndësishme të sillet zgjidhja më e mirë për qytetarët dhe të lejohet mundësia opsionale, nëse qytetari dëshiron të ndërrojë tabelën, nëse dëshiron të vendosë etiketë. Kjo do të ishte njëra nga mundësitë e mundshme. Unë pres se shumë shpejtë do ta definojmë dhe do të dalim para opinionit. Ne jemi në dispozicion përmes ndryshimit të udhëzimeve të kemi zgjidhje më të volitshme për çdonjërin nga ne”, tha ministri Spasovski.

MARKETING