Spalletti: Ky, Juventus është më i miri që kam parë ndonjëherë

Spalletti: Ky, Juventus është më i miri që kam parë ndonjëherë

Juventusi arriti një fitore minimale, por me peshë të madhe në transfertën e Bolognës, duke shfrytëzuar një nga mundësitë e fundit për të qëndruar në kontakt me skuadrat e kreut dhe për t’i dhënë kuptim vazhdimësisë së sezonit. Përtej rezultatit të ngushtë, paraqitja e bardhezinjve ishte bindëse në të gjitha aspektet e lojës.

Pas ndeshjes në “Dall’Ara”, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, bëri një deklaratë të fortë për mikrofonat e DAZN, duke e cilësuar këtë sukses si më të madhin e mandatit të tij:
“Është fitorja më e rëndësishme e periudhës sime këtu. Përballë kishim një skuadër me forcë të qartë, guxim, entuziazëm dhe mentalitet. Të fitosh këtu është vërtet për t’u vlerësuar. Juventusi ishte gjithmonë në lojë, kompakt, pranë topit për 90 minuta.”

Spalletti theksoi se nuk është i surprizuar nga rritja e skuadrës, duke zbuluar se e kishte paralajmëruar edhe drejtuesit:

“Këtë e kam thënë edhe më parë, por kur nuk vijnë rezultatet, askush nuk e vëren përmirësimin. Në stërvitje kam parë një ekip që po punon shumë mirë, sidomos këtë javë. U thashë edhe drejtuesve se i pashë energjikë dhe të gatshëm për të përthithur idetë. Shpresoj që kjo të na ndihmojë të jemi më konstantë.”

Goli i fitores u shënua nga Juan Cabal, një nga lojtarët më të komentuar së fundmi. Edhe për të, Spalletti kishte një koment të veçantë:

“Kisha një parandjenjë. Cabal duhet të mësojë ndonjëherë të kontrollojë emocionet, sepse është shumë impulsiv. Ka talent, fizik, mentalitet të fortë, por ndonjëherë ka qenë më i ashpër seç duhet për vlerën dhe nivelin e tij. Pikërisht për këtë arsye e ngacmoj pak, sepse besoj shumë tek ai.”

MARKETING