Sot pasdite në Koçan mbahet “Marshimi i Engjëjve” për viktimat në diskotekën Pulse
Këtë pasdite në Koçan do të mbahet sërish “Marshimi i Engjëjve”, aktiviteti përkujtimor për familjarët dhe të afërmit e viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën “Pulse”, i cili ndodhi tetë muaj më parë.
“Ky nuk është protestë, por një marshim paqësor për një gjykim të drejtë – për të kujtuar se pas çdo ‘numri’ që dëgjojmë, fshihet një emër, një jetë, një familje dhe një dhimbje. Mesazhi ynë është i thjeshtë, por i thellë: për fëmijët tanë, për drejtësi të vërtetë, për një Maqedoni me ndërgjegje”, – deklarojnë prindërit e viktimave.
Ata theksojnë se me këtë marshim duan të tregojnë se shoqëria nuk duhet të heshtë përballë padrejtësisë dhe se ekziston një popull që nuk heq dorë nga e vërteta.
Ndërkohë, më 19 nëntor, në sallën e gjyqit të burgut të Idrizovës do të nisë procesi gjyqësor për tragjedinë e Koçanit.
Në bankën e të akuzuarve do të ulen 34 persona, të cilët do të përballen me akuza për krime të rënda kundër sigurisë publike.
Në zjarrin e 16 marsit humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.

