Sot paraqiten deklaratat përmbyllëse, katërshja e UÇK-së thotë fjalët përfundimtare
Sot para Dhomave të Specializuara në Hagë do të paraqiten deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Seanca pritet të fillojë në ora 09:00.
Gjersa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn në fazën vendimtare, sot do të dëgjohen fjalët përfundimtare nga përfaqësuesi i viktimave, replikat e mbrojtjes dhe në fund edhe deklarimet përmbyllëse të katërshes së UÇK-së.
Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas Prokurorisë së Specializuar, lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, 1998–1999.
Ata akuzohen se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Katërshja e UÇK-së i ka mohuar vazhdimisht, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, të martën në Kosovë, u organizua një marsh në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Marshi u organizua nga platforma “Liria ka emër”.
Sipas organizatorëve, mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marsh, duke mbushur sheshet e kryeqytetit dhe duke dërguar mesazhin për drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare. /Telegrafi/

