Snopçe: Mexhiti deri para një viti e gjysmë ishte nënkryetar i listave të zeza dhe i të korruptuarve

Snopçe: Mexhiti deri para një viti e gjysmë ishte nënkryetar i listave të zeza dhe i të korruptuarve

Partia e Izet Mexhiti na akuzon neve si i japim përkrahje listave të zeza dhe të të korruptuarve, ndërsa deri para një viti e gjysëm Izet Mexhiti ishte nënkryetar i BDI-së. Kështu tha deputeti i ASH-së, Halil Snopçe si përgjigje ndaj akuzave të Mexhitit ndaj partisë së Taravarit e cila kaloi në opozitë.

MARKETING

“Ai ka qenë nënkryetari i asaj partie (BDI-së) dhe kryetar shtabi në disa cikle zgjedhore, tani na akuzon se ne i japim përkrahje listave zeza kur ai ka qenë nënkryetari i listave të zeza dhe nënkryetari i të korruptuarve”, deklaroi Halil Snopçe, deputet i ASH.

Snopçe u është përgjigjur edhe akuzave nga Lëvizja Besa dhe kreu i saj Bilall Kasami.

“Bilall Kasami dhe Lëvizja Besa hynë në koalicion parazgjedhor me LSDM-në dhe nuk u bashkua me opozitën e atëhershme. Nëse kanë qenë të korruptuar, si u qëndruan në atë qeveri”, pyeti deputeti Snopçe.

Deputeti Snopçe tha se sulmet nga ish partnerët janë të hatashme dhe vlerësimi i tij ishte se nga jashtë ka shkëlqyer bashkëpunimi dhe koalicioni, por ka qenë një fasadë pasi nga brenda ka qenë i kalbur.

Këto sulme, shtoi ai, vijnë në një periudhë kur Taravari ka qenë “ylli” i vetëm në Maqedoni për menaxhimin e tragjedisë në Koçan.

ASH është e unifikuar, tha Snopçe pas daljes nga qeveria.

Për ASH nuk ka asnjë interes tjetër përpos atij që mbron interesat e shqiptarëve tha Snopçe në  intervistë për Ora News në Shqipëri. Ai tha se ASH nuk bashkohet me BDI-në në opozitë, por do të veproj si grup parlamentar më vete.

“Me ndryshimet kushtetuese ne nuk bëmë asgjë, me largimin e 20 % i cili poashtu ka qenë premtimi ynë parazgjedhor, tash askush nuk flet. E kemi edhe Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ne si parti e kishim të gatshëm. Na u tha se do të sillet në dhjetor të vitit të kaluar dhe tash jemi maj 2025 dhe ende taktizohet nga VMRO-DPMNE. Taktizohet pasi kur u hoq Balancuesi që garantonte një përfaqësim të drejtë e që e hoqi Gjykata Kushtetuese, ne u zotam se me një periudhë të shkurtër do ta sjellim Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë që është kategori kushtetuese, sepse me Kushtetutë u garantohet komuniteteve jo maqedonase, gjegjësisht shqiptarëve përfaqësimi i barabartë. Por, ja që kjo periudhë dhe ky vakum u shfrytëzua nga VMRO-DPMNE për të bërë punësime vetëm puro maqedonase duke mos i marrë në konsideratë shqiptarët. U formua komision për Ligjin por 5-6 muaj ai komision s’ka asnjë epilog. Kemi premtuar edhe rastet e montuara politike, as për ato askush nuk flet. Këto janë disa nga arsyet që ne të veprojmë si opozitë sesa të harxhojmë kot energji me VMRO-DPMN dhe siç tha kryetari Taravari kthehemi te popullit dhe do të tentojmë të bëjmë së bashku një presion për këto çështje”, nënvizoi deputeti i ASH, Halil Snopçe.

Ai tha më tej se ndarja nga VLEN ka ardhur pasi partnerët e koalicionit nuk e kanë pranuar vendimin që ASH të garojë me lista të veçanta në zgjedhjet lokale

MARKETING