Snopçe kundër ‘Safe City’: Qeveria po rëndon xhepat e qytetarëve
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, votoi kundër projektligjit “Safe City”, i cili u miratua sot në Kuvend, duke vlerësuar se ky projekt do ta rëndojë edhe më shumë standardin jetësor të qytetarëve. Pas votimit, Snopçe bëri të ditur se në seancë zhvilloi një polemikë të drejtpërdrejtë me ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, lidhur me pasojat ekonomike të këtij projekti, theksohet në komunikatë, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
Sipas Snopçes, ministri tentoi të ironizonte vërejtjet e tij për lartësinë e dënimeve që parashihen me zbatimin e “Safe City”, duke i quajtur përllogaritjet e tij “matematikë zbavitëse në nivel muhabetesh të Çarshisë”.
“Nuk flas për muhabet, flas për standardin e qytetarëve. Qeveria, në çdo aspekt, po e ngarkon tej mase xhepin e tyre”, deklaroi Snopçe, duke shtuar se “më mirë matematika ime zbavitëse, sesa matematika tragjike e qeverisë, e cila dita-ditës po ua rrjep xhepin qytetarëve”.
Në debat, deputeti i ASH solli edhe një shembull konkret nga jeta e përditshme. Ai theksoi se një gjevrek kushton 40 denarë, ndërsa një jogurt 30 denarë. Sipas tij, një familje katër anëtarëshe që ushqehet vetëm me gjevrek dhe jogurt tri herë në ditë, duhet të shpenzojë rreth 25.200 denarë në muaj, shumë që është më e lartë se paga minimale në vend.
“Kjo është matematika juaj trishtuese për qytetarët e këtij shteti, të cilëve me projektin ‘Safe City’ barra financiare do t’u rëndohet edhe më shumë”, theksoi Snopçe.
Aleanca për Shqiptarët, përmes deputetit Halil Snopçe, rithekson se është pro sigurisë në komunikacion, por kundërshton zgjidhjet që, sipas saj, sjellin dënime disproporcionale dhe cenojnë drejtpërdrejt mirëqenien ekonomike të qytetarëve.

