Sllaveski: Një e treta e apartamenteve tona janë bosh, po përgatiten masa të reja

Sllaveski: Një e treta e apartamenteve tona janë bosh, po përgatiten masa të reja

Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski njofton se po përgatiten masa të reja që do të mundësojnë kushte më të mira për kreditimin e apartamenteve që blihen për të jetuar, veçanërisht për blerjet e para. Qëllimi është të mbështetet kreditimi që përdoret për të zgjidhur çështjen e strehimit, veçanërisht tek të rinjtë, në kushte kur çmimet e apartamenteve janë në rritje të vazhdueshme.

“Qëllimi më i rëndësishëm që i kemi vendosur vetes, i cili rrjedh edhe nga mandati i bankës qendrore dhe është me interes publik, është të shohim se si të inkurajojmë ose mundësojmë kreditim më të favorshëm për pronat banesore që blihen për herë të parë dhe do të përdoren për të jetuar, sepse dihet që një e treta e fondit ekzistues të banesave në vendin tonë është bosh”, theksoi në një intervistë për stacionin televiziv rajonal “Newsmax Balkans”, Guvernatori Sllaveski dhe shpjegoi se masat do të synojnë diferencimin e kredive për banesa të para nga ato për qëllime investimi dhe spekulative, me qëllim lehtësimin e aksesit për qytetarët që kanë nevojë vërtet për shtëpinë e tyre.

Sipas analizave të Bankës Popullore, gjysma e transaksioneve të banesave kryhen me para në dorë, gjë që krijon presion mbi kërkesën dhe rrit më tej çmimet. Prandaj, Banka Popullore planifikon, në bashkëpunim me bankat, të analizojë dhe propozojë masa, duke i kushtuar vëmendje stabilitetit të sektorit bankar.

Guvernatori Sllaveski theksoi se propozimet për masa do t’u dorëzohen bankave për konsultim, me pritjen se ato do të japin rezultate që do të sigurojnë qasje më të mirë në financa për çiftet e reja të martuara dhe qytetarët që duan të zgjidhin problemin e strehimit.

MARKETING