Skandali i pergjimeve, anulohet seanca e Komisionit kuvendor për mbikëqyrje të punës së ASK-së

Seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe Agjencisë së Zbulimit (AZ) që duhej të diskutonte pretendimet për përgjime të paligjshme në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024 është shtyrë.
Shërbimet parlamentare konfirmuan se seanca, e cila duhej të fillonte në orën 11:00, është shtyrë pasi njoftimi për të u tërhoq nga orari për seancat e sotme të trupave punues në faqen e internetit të Parlamentit.
Deri më tani, nuk ka informacion zyrtar se pse është shtyrë seanca dhe nëse dhe kur do të mbahet.
Të pyetur nga gazetarët, shërbimet parlamentare thanë se do të japin informacione shtesë.
Seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së ASK-së dhe AZ-së u caktua nga Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, dje, dhe duhej të kryesohej nga deputetja e LSDM-së Sllavjanka Petrovska, e cila është anëtare e këtij trupi punues.