Sindikatat protestojnë, kërkojnë pagë minimale 600 euro
Sot në Shkup pritet të mbahet një protestë e madhe e organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), me kërkesë për rritjen e pagës minimale dhe të gjitha pagave në vend. Protesta do të fillojë në ora 12:05 dhe pritet të marrin pjesë punëtorë nga qytete të ndryshme të vendit, raporton SHENJA.
LSM kërkon që paga minimale të rritet në 600 euro, si dhe rritje prej 100 euro për të gjitha pagat e tjera. Sipas sindikatës, rritja e paralajmëruar nga Qeveria prej rreth 1.600 denarësh nuk është e mjaftueshme për shkak të rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.
Marshimi protestues do të nisë nga selia e LSM-së, do të kalojë pranë Kuvendit dhe Odës Ekonomike dhe do të përfundojë para Qeverisë. Për shkak të protestës pritet të ketë bllokim të disa rrugëve në kryeqytet, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e policisë. /SHENJA/

