Siljanovska Davkova për 8 Prillin: Të përmirësohen kushtet e jetesës për komunitetin rom
MARKETING
Me rastin e 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka dërguar një mesazh urimi për pjesëtarët e komunitetit rom, duke vënë theksin në nevojën për përmirësim real të kushteve të jetesës së tyre.
MARKETING
Në mesazhin e saj, ajo uroi që kjo ditë të festohet me shëndet, gëzim dhe lumturi, duke theksuar se romët janë pjesë e pandashme historike dhe kulturore e shtetit dhe shoqërisë maqedonase.
“Liria, krenaria dhe bashkësia janë vlera thelbësore të identitetit rom dhe meritojnë respekt të plotë”, thekson presidentja.
Megjithatë, ajo nënvizon se, pavarësisht faktit që shteti në aspektin formal dhe juridik konsiderohet ndër liderët në rajon dhe në Evropë për garantimin e të drejtave të pakicave, realiteti i përditshëm i romëve mbetet larg këtyre standardeve.
Sipas saj, 8 Prilli duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe vlerësimi për cilësinë e jetës së komunitetit rom në të gjitha fushat dhe në çdo nivel.
Presidentja thekson se nuk mjafton të përmendet vetëm Shuto Orizari, por është e domosdoshme të sigurohen kushte dinjitoze jetese për romët kudo që ata jetojnë.
Në fund, ajo vlerëson se komuniteti rom mbetet ndër më të rrezikuarit dhe më të margjinalizuarit në shoqëri, duke bërë thirrje për më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për këtë kategori qytetarësh.

