Siljanovska-Davkova pas takimit me homologun kroat: Nuk ka vend për standarde të dyfishta në procesin eurointegrues
MARKETING
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova tha se kërkojnë të mos ketë standarde të dyfishta në rrugëtimin e tyre në anëtarësim të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu.
MARKETING
Këtë vlerësim Siljanovska-Davkova e ka bërë në konferencën e përbashkët për media pas takimit të saj me homologun kroat Zoran Milanoviq.
Në një ceremoni zyrtare me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidentja Siljanovska-Davkova në Zagreb u prit nga Milanoviq, me çka filloi vizita e saj zyrtare dyditore në vend.
Dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, pas të cilit pasoi një takim plenar i delegacioneve maqedonase dhe kroate, ku në fokus ishin marrëdhëniet dypalëshe tradicionalisht miqësore.
Në konferencën e përbashkët për media, Siljanovska-Davkova theksoi se anëtarësimi në BE mbetet një nga përcaktimet strategjike të shtetit dhe falënderoi për qëndrimin miqësor, mbështetjen dhe mirëkuptimin nga ana e Kroacisë, si dhe për ndihmën në hapjen e perspektivave të reja dhe zgjidhjeve të mundshme në procesin e integrimeve evropiane.
“Sigurisht, unë kërkoj këshilla dhe mendime që bazohen në përvojën e vet, të njëjtën gjë e kërkoj edhe nga ata që tashmë nga rajoni po ecin përpara, si Mali i Zi dhe Shqipëria dhe përsëri vërej dallime. Pra, dallimet lidhen me veton dhe me vendimmarrjen konsensuale brenda BE-së. Mua më është e qartë se kjo nuk mund të ndryshojë brenda natës, pasi duhet të ndryshohen dokumentet kushtetuese, por ajo që kërkojmë ne me përulësi, si shtet, si komb, është të mos ketë standarde të dyfishta dhe të vlerësohet ajo që vlerësohet edhe tek të tjerët”, tha ajo.
Siljanovska-Davkova tha se shteti në mënyrë të qëndrueshme është udhëhequr nga kriteret e Kopenhagës, me qëllim ndërtimin e një sistemi funksional dhe demokratik të përputhshëm me standardet evropiane.
Sipas saj, procesi eurointegrues duhet të mbetet i bazuar në merita, reforma dhe përmbushje të kritereve evropiane dhe jo të ngarkohet me çështje dypalëshe historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare.
Ajo theksoi se pritet trajtim i barabartë dhe zbatim i standardeve të njëjta si për vendet e tjera kandidate, me bindjen se në institucionet evropiane ende ekziston gatishmëri për të dëgjuar argumentet, për të respektuar të drejtën dhe për të siguruar një vend dinjitoz për çdo popull evropian në BE.

