Siljanovska Davkova: Nga partnerët tanë evropianë dhe strategjikë presim mirëkuptim dhe zhbllokim të drejtë të procesit të negociatave me BE-në (PLT)

Siljanovska Davkova: Nga partnerët tanë evropianë dhe strategjikë presim mirëkuptim dhe zhbllokim të drejtë të procesit të negociatave me BE-në (PLT)

Nga partnerët tanë evropianë dhe strategjikë presim mirëkuptim dhe zhbllokim të drejtë të procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzim të standardeve të dyfishta dhe respektim të parimeve dhe vlerave personale, të ndërtuara në dokumentet kushtetuese bazë, theksoi sot në fjalimin e saj presidentja Gordana Siljanovska Davkova para anëtarëve të Asamblesë së përgjithshme të KB-së.

Siç njoftoi raportuesi i MIA-s nga Nju Jorku, zgjerimi, sipas Siljanovska Davkovës, duhet të lidhet me kriteret e Kopenhagës për meritokraci dhe të lirohet nga vetoja që ka të bëjë me përpjekjen për rishikim të historisë dhe mosrespektim të identitetit kombëtar dhe kulturor.

“Ribashkimi evropian është si një simfoni e papërfunduar pa ne. Bashkimi Evropian nuk është vetëm një sistem politik por edhe një filozofi politike në të cilën besojnë numri më i madh i aktorëve dhe qytetarëve politikë të RMV-së dhe ballkanikë. Integrimi është një motiv i fuqishëm dhe një forcë kyçe për zhvillimin demokratik”, tha presidentja e shtetit.

Integrimi i plotë i Ballkanit në BE, sipas saj, do t’i japë fund rimodelimit të pafund të kufijve dhe ballkanizimit si fenomen.

“Por, sigurisht, shtetet ballkanike duhet të sillen sipas standardeve evropiane, duke u lidhur dhe bashkëpunuar në mënyrë rajonale. E vlefshme është përvoja dhe pritet ndihma e vendeve të rajonit që janë bërë pjesë e BE-së, por edhe atyre që janë në rrugën evropiane. Duhet të mësojmë të mbështesim njëri tjetrin, si në rastin me koronavirusin, përmbytjet dhe zjarret, në vend që të bllokohemi në rrugën evropiane. Homo Balkanicus mund të jetë Homo Europicus, kur të dojë”, theksoi presidentja Siljanovska Davkova.

Siç tha para Asamblesë së përgjithshme, për ne, anëtarësimi në BE, pas 20 vitesh negociata dhe madje 16 raporte pozitive nga Komisioni Evropian i ngjan z. Godo, sepse e kemi pritur që nga viti 2005, të inkurajuar nga përfaqësues ndërkombëtarë me refrenin: “vetëm edhe ky kusht”, “vetëm edhe ky koncesion”, “vetëm edhe ky ndryshim kushtetues”.

“Kështu u bëmë shtet “sui generis”, me 36 ndryshime kushtetuese për 30 vjet, të ankoruara në rajonin gjeopolitik të quajtur “Ballkani Perëndimor”, theksoi Siljanovska Davkova.

Ajo rikujton se vendi ynë si një nga gjashtë republikat përbërëse të Jugosllavisë, mori pjesë në krijimin e KB-së dhe gjatë pranimit në KB në vitin 1993 u përball me padrejtësi të mëdha dhe se ende po përballet me këtë. Ajo gjithashtu tha se jemi pranuar nën referencë të përkohshme, por edhe më një kusht shtesë “të negociojmë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për kontestin për emrin”.

“Në vitin 2018 është nënshkruar dhe ratifikuar Marrëveshja e Prespës, pas së cilës vijuan referendumi i pasuksesshëm dhe ndryshimet kushtetuese me të cilat Republika e Maqedonisë formalisht dhe juridikisht u bë Republika e Maqedonisë së Veriut”, tha presidentja Siljanovska Davkova.

Si profesoreshë e së drejtës kushtetuese dhe si ish anëtare e Komisionit të Venecias, tha presidentja, e di që ajo që është e ligjshme nuk është gjithmonë e drejtë dhe legjitime, sepse në rastin e vendit tim nuk është vepruar në përputhje me normat ndërkombëtare dhe ligjin kombëtar, përkatësisht “u harua” e drejta për vetëvendosje e çdo kombi, e garantuar me Kartën e KB-së dhe Kushtetutën e RSFJ-së nga viti 1974.

“Vija që ndan atë ligjore nga e drejta ndonjëherë është thjesht një çarje, por herë të tjera është një hendek i thellë, madje edhe një humnerë. Ai hendek, ajo humnerë prek më së shpeshti dhe më rëndë kombet dhe shtetet e vogla që janë viktimat e para të përplasjes mes forcës dhe drejtësisë, sepse mund të jetë pengesë e pakapërcyeshme për realizimin e së drejtës për përparim”, theksoi presidentja.

Emri i ri, tha Siljanovska, është realitet formalo-juridik dhe ne si vend përgjegjës anëtar të Kombeve të Bashkuara dhe të NATO-s, i plotësojmë obligimet ndërkombëtare.

“Por, anëtarësimi në BE, për të cilin shkak e bën këtë, jo vetëm se nuk u realizua, por qytetarët e Maqedonisë së Veriut tani janë para një ‘kushti përsëri të fundit’ për edhe një ndryshim kushtetues, por jo për anëtarësim, por për fillim të negociatave dhe atë për herë të dytë”, tha presidentja.

Si shtet paqedashës, i përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, tha Siljanovska Davkova, presim mirëkuptim dhe bashkëpunim mes fqinjëve tanë, pa kërcënim me veto.

“Ku ka veto, shpeshherë, nuk ka drejtësi. Vetoja u bë instrument për bilateralizimin e eurointregrimit, respektivisht stagnimit të tij. Në kushte të konfliktit në tokë evropiane, stagnimi i eurointegrimit jo vetëm se i demotivon qytetarët tanë dhe i ngadalëson reformat, por edhe e destabilizon rajonin e Evropës Juglindore, duke lënë hapësirë për depërtim të ndikimeve malinje dhe ndikimeve të shteteve të mëdha”, tha presidentja.

Duke folur për multilateralizmin, Siljanovska Davkova tha se varet edhe nga respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Si vend i përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, theksoi ajo, “ne i respektojmë marrëveshjet bilaterale me fqinjët tanë dhe presim që fqinjët t’i respektojnë marrëveshjet pa keqpërdorur të drejtën e vetos”.

Para Asamblesë së përgjithshme, ajo theksoi se bota po përballet me një sfidë të madhe: si ta bëjmë të ligjshmen dhe të drejtën, pra të drejtën ligjore dhe si ajo që është legale dhe e drejtë të implementohet.

Po përballemi me çështje të mëdha, tha presidentja duke pyetur nëse është e mundur paqe e drejtë pasi përballemi gjithnjë e më shumë me luftëra dhe shkelje flagrante të Kartës së KB-së.

“Rezolutat e kësaj Asambleje të përgjithshme pasqyrojnë vullnetin e shumicës së kombeve, por jo gjithmonë respektohen vazhdimisht. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është instanca përfundimtare e drejtësisë midis shteteve, megjithatë vendimet e saj nuk zbatohen gjithmonë dhe as trajtohen si këshilla”, tha ajo.

Sipas Siljanovska Davkovës, bota po kalon një transformim të stuhishëm gjeopolitik, ekonomik, shkencor, teknologjik dhe industrial në të cilin njeriu ka një ndikim të madh në planet, por në vend të rritjes së bashkëpunimit dhe veprimit në çështjet urgjente, rivaliteti gjeopolitik dhe gara e re për armatim na shtyn në një gjendje drejt asaj që i ngjan një lufte të re të dytë të ftohtë dhe botës oruelliane.

Për të tejkaluar këtë margjinalizim politik, thotë Siljanovska Davkova, nevojitet frymë e re e multilateralizmit që do të zbusë rivalitetet gjeopolitike dhe do të rrisë besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve rreth sfidave të përbashkëta. Ai multilateralizëm mbështetet në tre shtylla.

Shtylla e parë, siç tha ajo, është respektimi i vazhdueshëm i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare që ekziston për të mbrojtur më të dobëtit nga instinktet e më të fortëve.

Shtylla e dytë e multilateralizmit, thotë ajo, është zbatimi i objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe Marrëveshjes së Parisit për uljen e rrezikut nga fatkeqësisë, ndërkohë shtyllën e tretë të multilateralizmit të ri, Siljanovska Davkova e sheh në përkushtimin më të madh për reformën e KB-së, por thelbësore, jo kozmetike dhe korrigjuese, pra reforma që do të zhbllokojnë potencialin e KB-së dhe do të mundësojnë zërin e çdo vendi, të madh ose të vogël, për t’u dëgjuar dhe vlerësuar njësoj.

MARKETING