Siljanovska – Davkova: Gjendja e sigurisë është e qëndrueshme dhe nën kontroll

Siljanovska – Davkova: Gjendja e sigurisë është e qëndrueshme dhe nën kontroll

Gjendja e sigurisë është e qëndrueshme dhe është nën kontroll, deklaroi presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska – Davkova pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në Vilën Vodno e cila zgjati më shumë se dy orë e gjysmë.

Siç tha në konferencë për media, është biseduar “për dilemat e sigurisë në botë”, të cilat, tha, “i shqetësojnë të gjitha shtetet përfshirë edhe vendin tonë”.

“Nga fjalimet hyrëse dhe takimi, përfundimi ishte se, megjithatë, siguria rajonale është e qëndrueshme dhe nën kontroll në vend dhe nuk priten probleme dhe dilema sigurie. Tema kryesore e diskutimit ishte situata në rajon, ajo që po ndodh në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku shpesh dëgjojmë retorikë secesioniste, kriza institucionale në Kosovë për shkak të pamundësisë për të konstituuar organet, si dhe në Serbinë fqinje ku ka një sërë problemesh serioze. Megjithatë, nga argumentet, nga të dhënat që kemi, përfundimi është se, megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve dhe sfidave, ato nuk pritet të reflektojnë në situatën e sigurisë në Maqedoni”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, theksoi se te të gjithë të pranishmit në takim ishin “të pandara qëndrimet për nevojën për paqe”. Tha se për këtë nuk kemi garanci të sigurisë sepse “bisedimet po vijojnë pastaj ndërpriten”.

“Shpesh herë them prisja organizatë më të angazhuar dhe më aktive të Kombeve të Bashkuara e cila, për fat të keq, është e margjinalizuar”, tha presidentja.

Për zjarret në vend theksoi se janë nën kontroll për momentin dhe se nuk kanë të bëjnë vetëm me temperaturat e larta por ka “bazë për dyshim se janë shkaktuar me qëllim”.

“Mbetet dilema se janë shkaktuar me qëllim, por nuk mund të flas për këtë derisa nuk ka dëshmi dhe derisa kemi procedurë parahetimore”, deklaroi Siljanovska – Davkova.

Në konferencën për media, ajo tha se gjendja me zjarret është nën kontroll të cilat shuhen me angazhimin e institucioneve vendore, të cilat janë të koordinuara, në mesin e të cilave edhe ushtria, por edhe me ndihmën e Evropës.

Siç tha, nga Qeveria ishte informuar për sistemin e parandalimit në të cilin punojnë, përdorimin e kamerave dhe dronëve “me të cilat saktë do të lokalizoheshin rreziqet, por edhe autorët” dhe se kanë ekspozuar një varg masash të cilat në të ardhmen do t’i zbatojnë – nga ndryshimi i Ligjit për përballje me kriza dhe angazhimin e vullnetarëve, me çka theksoi edhe se janë aftësuar automjete të cilat përdoreshin për qëllime ushtarake, ndërsa sot shfrytëzohen në teren.

Është propozuar, shtoi ajo, projekt i ri, sistem bashkëkohor informativ për fatkeqësi të motit te ne, me ndihmën e inteligjencës artificiale me të cilat, tha, duhet para kohe të parashihen një varg situatash.

Në Këshillin e Sigurisë është folur edhe për integrimet evropiane.

Anëtarë të Këshillit të Sigurisë janë: Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit, Hristian Mickoski, kryetar i Qeverisë, Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme, Vllado Misajllovski, ministër i Mbrojtjes, Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe tre anëtarë, të emëruar nga presidentja Xhevdet Hajredini, Malinka Ristevska – Jordanova dhe Vllado Spiridonov.

Në mbledhjen e dytë të Këshillit të Sigurisë, me ftesë të presidentes Siljanovska – Davkova ishte paralajmëruar pjesëmarrje edhe e drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski, drejtoreshës së Agjencisë së Zbulimit, Gabriela Jakovleva dhe drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.

https://www.facebook.com/share/v/1BLahi6JbQ

MARKETING