Siljanovska-Davkova: Është josportive të abuzosh me fushën sportive për të “praktikuar” gjuhë urrejtjeje dhe fyerje

Presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska-Davkova, ka folur pas ngjarjeve në stadiumin e Kumanovës dhe sjelljes ksenofobe të disa tifozëve të pranishëm në ndeshjen midis Maqedonisë dhe Rumanisë. Presidentja i dënoi thirrjet dhe kujtoi brohoritje të ngjashme ofenduese që ndodhën më pak se një muaj më parë në stadiumin “Todor Proeski”.
“Në mesin e korrikut, në ndeshjen midis Shkëndisë dhe kampiones së Uellsit TNS, me fyerjet raciste të futbollistit Armand Otte, tronditëm të gjithë botën sportive, por edhe botën e gjerë, e cila me të drejtë pyeti: Si është e mundur që një tifoz i paskrupullt ta thyejë emocionalisht një lojtar të lartë futbolli deri në lot, duke përdorur gjuhë urrejtjeje mbi baza racore?
Turpi ra mbi të gjithë: mikpritësin, klubin, pjesëmarrësit, qytetin, shtetin, sportin! Përfundimi logjik ishte: “Një sjellje e tillë nuk duhet të tolerohet në asnjë stadium, në asnjë sport, kurrë dhe askund.”
Dhe… për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, kush e di si, reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, në të cilën disa tifozë të padisiplinuar qëlluan plumba urrejtjeje drejt bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por ata na goditën të gjithëve, përfshirë edhe ne vetë, dhe, përsëri, jemi të turpëruar”, tha Siljanovska.
Siljanovska është e bindur se është josportive të abuzohet me fushën sportive për të “praktikuar” gjuhën e urrejtjes, fyerjet dhe satanizimin me fjalë helmuese vrasëse.