Siljanovska Davkova: Biseda me Radevin ishte miqësore dhe me respekt

Siljanovska Davkova: Biseda me Radevin ishte miqësore dhe me respekt

Biseda me presidentin bullgar Ruman Radev ishte e gjatë, miqësore, me respekt dhe unë për asnjë moment nuk i harrova interesat kombëtare maqedonase, pasi e di se edhe ai ka të drejtë t’i paraqesë të njëjtat. Mendoj se arrita në mënyrë të denjë, kulturore, presidenciale dhe burrështetas t’i tregoj se cili është qëndrimi ynë dhe çfarë pres, potencon  presidentja Gordana Siljanovska Davkova.

Ajo në emisionin në  televizionin Sitel sonte, në lidhje me mungesën e flamurit kombëtar gjatë takimit me Radevin në Sofje, tha se kishte vendosur që më mirë të mos bëhej skandal dhe përmendi se përgjegjësi për shefin e protokollit nuk do të ketë.  Ajo paralajmëroi se të mërkurën do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski, para nisjes së tij për në Bruksel.

“Unë i di rregullat protokollare të Bullgarisë, i di edhe të shumë shteteve të tjera. E di që nikoqiri e përcakton protokollin, e di që ka pasur shembuj kur kanë ardhur edhe burrështetas të tjerë, megjithatë nuk janë vënë në dukje simbolet shtetërore.  Por, ajo që mua më habiti dhe nuk mendoj se është bërë me qëllim, pse nuk u informova për këtë. Marrëveshja e fundit ishte që do të ketë një fotografi nga takimi tet-a-tet, kuptohet prej drekës nuk do të ketë fotografi, por unë nuk e dija që do të më duhet të fotografohem edhe në ambientin ku mbahen fotosesionet. Kur u larguam, menduam se do të shkonim në një hapësirë bisede. Papritur, kur hyra në hapësirë, pashë dy flamuj dhe duhej të mendoja se çfarë të bëja. Një mendim ishte se mund të largohesha dhe do të kisha bërë një skandal, ndërsa tjetri ishte se nikoqiri i kishte vendosur rregullat dhe se nikoqiri e kishte gabim, e jo ​​unë. Në atë moment vendosa që më mirë ndërkaq të mos bëj skandal”, tha Siljanovska Davkova.

Ajo potencoi se  me Radevin kanë pasur një drekë të këndshme, duke përmendur projekte dhe ide. Kjo, siç tha, ishte një bisedë miqësore, plot zgjidhje dhe ide. Siljanovska Davkova është e mendimit se nuk ka arsye që të ketë përgjegjësi shefi i protokollit në kabinetin e saj.

“Nuk ka pse të jetë përgjegjësi shefi i protokollit, sepse gjatë gjithë mëngjesit edhe ambasadorja edhe shefi i protokollit kërkuan kontakt me telefon me shefin e protokollit të Radevit, por kjo nuk ishte e mundur. Madje edhe kur kemi hyrë, as shefi i protokollit tim dhe as ambasadorja nuk janë njoftuar se sipas rregullave protokollare për këtë lloj vizite nuk ka nevojë të vendoset flamuri i mysafires”, tha Siljanovska Davkova.

Në pyetjen nëse lidhur me takimin me Radevin ka biseduar me kryeministrin Hristijan Mickoski, presidentja tha se ende nuk ka biseduar me kryeministrin, por do të takohen para se ai të niset për në Bruksel.

“Ende nuk kam biseduar me Mickoskin, do të shihem me të para se të niset për në Bruksel. Të mërkurën do të shihem me Mickoskin. Pohoj me përgjegjësi se gjatë takimit tet-a-tet dhe gjatë drekës me Radevin ka pasur një dialog të nxehtë, por dialogu nuk është fokusuar tek problemet dhe mosmarrëveshjet, por se çfarë mund të bëjmë bashkë me fqinjin e parë dhe se ky takim ishte hapi i parë drejt kësaj”, tha Siljanovska Davkova.

E pyetur nëse pret që ndryshimi i anëtarëve në Komisionin Historik të ndikojë në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, presidentja tha se nuk është mirë që shkenca të funksionojë nën kapelën e politikës.

“Nuk është mirë që shkenca të funksionojë nën kapelën e politikës. Mendoj  se kërcënohet polititimi i procesit. Nuk mund ta vlerësoj punën e Komisionit të kaluar dhe çfarë do të bëjë ky i tanishmi, por asnjëherë nuk ka dëm nga një bisedë shkencore”, shtoi Siljanovska Davkova.

E pyetur nëse presidentja ka filluar ta përdor emrin kushtetues të shtetit, ajo është përgjigjur se mbiemrat në vetvete nuk do të thonë asgjë, thelbi është shteti i Maqedonisë.

“Nuk e mohoj. Qeveria është reale ose është një optimizëm real dhe e pranon realitetin. Realiteti pasqyrohet në emër të dokumenteve, titullin e Kabinetit të Presidentit. Unë atë e pranoj. Ajo që do të dëshiroja,  është që kur diku të shkruhet apo thuhet Republika e Maqedonisë duhet  në fusnotë të thuhet se emri është ndryshuar në vitin 2019. Madje as ligjet nuk kanë veprim retroaktiv, e lëre më emër. Nuk kam lindur në Maqedoninë e Veriut dhe dua të më shkruaj dikush sepse kjo është shumë e saktë”, shtoi Siljanovska Davkova.

MARKETING