Siljanovska Davkova: Anëtaret e propozuara të Këshillit Gjyqësor i zgjodha sipas profesionalizmit

Siljanovska Davkova: Anëtaret e propozuara të Këshillit Gjyqësor i zgjodha sipas profesionalizmit

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në mbledhjen e sotme të Kuvendit para deputetëve i sqaroi propozimet e saja për zgjedhje të Arlinda Kadri Shahinoviq dhe Suzana Joshevska – Anastasovksa anëtare të Këshillit Gjyqësor.

Për dy kandidatet ajo tha se zgjedhjen e ka bërë sipas profesionalizmit dhe kompetencës së tyre, si dhe dhe kredibilitetit personal, gjatë kësaj duke theksuar se reformat në sferën e gjyqësorit duhet t’i zhvillojnë personalitete të cilat janë të njohura në sferën e tyre të veprimit.

“Nga diskutimet këtu, dhe jo vetëm këtu, por edhe në publikun në përgjithësi, ishte e qartë se Këshilli Gjyqësor është bërë faktor i krizës në gjyqësor… Unë nuk i propozova dy kandidatet sepse janë gra, por kryesisht për shkak të profesionalizmit dhe kompetencës së tyre”, tha presidentja.

Siljanovska – Davkova e shfrytëzoi mundësinë të theksojë edhe rëndësinë e dimensionit etik, si parakusht për gjyqësor të pavarur, krahas profesionalizmit dhe kompetencës.

“Këshilli Gjyqësor është rëntgeni, mikroskopi, duhet të ketë në përbërje njerëz që do të duhet të vlerësojnë në bazë të asaj që kanë si kualifikime, por edhe në bazë të integritetit dhe dinjitetit… Në ligj, gjërat më të rëndësishme janë ligjshmëria, kushtetutshmëria, etika, sepse vetëm një organ i tillë do të jetë në gjendje të vendosë për përgjegjësinë disiplinore, për zgjedhjen e gjykatësve, shkarkimin e gjykatësve…” tha presidentja.

Ajo edhe theksoi se reformat në gjyqësor fillojnë pikërisht në Këshillin Gjyqësor.

“Nëse në Këshillin Gjyqësor rekrutojmë njerëz të përkushtuar ndaj drejtësisë, njerëz që janë profesionistë dhe kompetentë në këtë fushë, mendoj se kjo do të thotë promovim i të njëjtave kritere në përzgjedhjen e gjykatësve, përgjegjësinë e gjykatësve dhe sigurisht, pres diçka që nuk e kam parë kur isha deputete – të marr raporte nga Këshilli që do të jenë të argumentuara mirë, në të cilat jo vetëm që do të zbulohen problemet, por edhe mënyrat për t’i kapërcyer ato, raporte që do të nënkuptojnë një hap përpara në reforma”, tha presidentja Siljanovska-Davkova.

Pas fjalimit të presidentes, me kërkesë të koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së ishte dhënë pushim njëorësh, kështu që pritet Kuvendi të fillojë me punë.

MARKETING