Sijarto: Hungaria dhe Maqedonia e Veriut mbështesin paqen në Ukrainë e cila mund të arrihet vetëm me një marrëveshje amerikano-ruse

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Peter Sijarto sot në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timco Mucunski edhe një herë theksoi mbështetjen që Hungaria i jep vendit tonë për anëtarësim në BE, por gjithashtu theksoi se të dyja vendet janë për paqe në Ukrainë, të cilën e kanë treguar me mbështetjen e Rezolutës në KB-së.
“Ne dhe Republika e Maqedonisë së Veriut jemi në anën e paqes. E mbështesim presidentin Tramp dhe gjithashtu suksesin e bisedimeve amerikano-ruse, sepse shohim qartë se paqja mund të arrihet vetëm përmes një marrëveshjeje amerikano-ruse. Maqedonasit dhe hungarezët janë të interesuar për kthimin e paqes, dhe këtë e dëshmon bashkëpunimi ynë që nga java e kaluar në KB kur e mbështetëm rezolutën e SHBA-së. Në fund u miratua propozimi i SHBA-së”, tha Sijarto në konferencën e përbashkët për shtyp në Budapest.
Potencoi se kthimi i paqes nuk është vetëm në interes të Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë, por të gjithëve sepse, siç tha, përforcimi i ekonomisë së vendeve dhe BE-së varet nga paqja dhe zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.
“BE-ja ka nevojë për forcë të re dhe kjo mund të vijë vetëm nga Ballkani Perëndimor”, tha Sijarto, i cili beson se BE-ja aktualisht është më e interesuar për anëtarësimin e disa vendeve sesa vetë vendet.
Akuzoi se “një numër i madh i shteteve sillen në mënyrë hipokrite dhe se kjo kontribuon në shkatërrimin e besimit në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Vazhdimisht dëgjojmë se vendimi për anëtarësimin në BE duhet të bazohet në merita dhe Hungaria pajtohet me këtë, theksoi Sijarto, duke theksuar se ky parim duhet të zbatohet për të gjithë.
Sijarto tha se ne kemi një shans të shkëlqyer për të ardhmen “sepse falë ndryshimeve në anën tjetër të Atlantikut, tani rritet shansi për kthimin e paqes në Evropë”.
“Por, fatkeqësisht ka edhe forca që po përpiqen të bëjnë gjithçka që munden për të parandaluar marrëveshjen e paqes të presidentit Tramp”, tha ai në konferencën për shtyp.
Duke folur në samitin e liderëve të BE-së në Londër, ministri hungarez i Punëve të Jashtme tha se tetë anëtare të Unionit kanë vendosur të vazhdojnë luftën në Ukrainë.
Ministrat Mucunski dhe Sijarto pasdite në Budapest nënshkruan plan veprimi për shkëmbimin e ekspertizës nga ana e Akademisë Diplomatike Hungareze për Nëpunësit Publikë për temat e pranuara reciprokisht për integrim në BE, proceset e administratës të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe politikën e Tregtisë së Jashtme. Kjo paraqet një hyrje në seancën ndërqeveritare Hungari – Maqedonia e Veriut, e cila përfundon nesër me konferencë për shtyp të kryeministrave Hristijan Mickoski dhe Viktor Orban. Në delegacionin e Maqedonisë së Veriut janë dhjetë ministra dhe dy zëvendësministra.