Shqipëria, SHBA-ja dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshje në fushën e energjisë
Është nënshkruar sot në Tiranë memorandumi për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe marrëveshja kuadër për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga Qeveria e Shqipërisë, marrëveshjet në fjalë janë hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, “në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë fqinje”.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Enea Kakaraçi, ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, dhe zyrtarë të tjerë.
Kryeministri Rama tha gjatë fjalës së tij se ajo çfarë e bën veçanërisht të fuqishëm partneritetin midis Shqipërisë dhe SHBA-së është natyra gjithëpërfshirëse e këtij partneriteti “që kombinon sigurinë afatgjatë të furnizimeve, zhvillimin e infrastrukturës kritike, ekspertizën e sektorit privat dhe një angazhim të përbashkët gjeopolitik ndaj qëndresës energjetike”.
“Kemi sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjellë më pas një investim shumë të madh, teknologji moderne dhe marrëveshje për furnizime. Pra, Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën Juglindore. E nuk mundem përveçse të theksoj, rëndësinë e asaj çfarë përmendi ambasadorja Guilfoyle, pra të nevojës sonë të të dyja palëve, të Shqipërisë e të Greqisë, për të forcuar lidhjen tonë dhe për të forcuar bashkëpunimin tonë në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit energjetik dhe rezistencës së pavarësisë energjetike. Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhës, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve”, është shprehur Rama.
Sipas njoftimit nga Kryeministria e Shqipërisë, ministri Kakaraçi ka thënë se partneriteti me SHBA-në reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme, sipas tij, të mbështetur në qëndrueshmëri dhe planifikim afatgjatë.
“Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjetike të Vlorës që është një komponent, një projekt shumë komponencial që do të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike”, ka thënë Kakaraçi.
Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Guilfoyle, tha se Shqipëria po luan një rol në rritje si një vend ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor.

