Shqipëria krah Kosovës, Rama: Kërkojmë dënim të qartë nga BE-ja për Serbinë

Shqipëria krah Kosovës, Rama: Kërkojmë dënim të qartë nga BE-ja për Serbinë

Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka thënë se për herë të parë në 10 vitet e fundit, Shqipëria sot del kundër Bashkimit Evropian, për Kosovën.
Pjesë nga fjalimi i kryeministrit Rama, transkripton Periskopi:

Për herë të parë dhe të paktën në 10 vitet e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Ky fakt ka shkaktuar një pështjellim të kuptueshëm kur ia kemi përcjell Brukselit si një qëndrim të Shqipërisë, pasi jemi përpjekur qysh pardje paradite, përpara moslinjëzimit që deklarata të reflektonte edhe zhvillimet dramatike të ditëve të fundit, konkretisht vrasjen e efektivit të policisë së Kosovës si dhe shpalljen e zisë kombëtare në Beograd për të vrarët në operacionin e policisë së Kosovës.

Miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur dicka e tillë, pasi deklarata që u publikua dje, ishte konfirmimi nga blloku i vendeve anëtare të BE-së, i qëndrimit public të datës 20 shtator nga shefi i diplomacisë evropiane, Borell pas takimit të dështuar të 14 shtatorit mes liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksle.

Ne nuk kemi asnjë kërkesë në deklaratën në vetvete, që sipas nesh qëndrojnë plotësisht dhe Kosova duhet t’i reflektojë në dialogun e normalizimit, por njëkohësisht kemi theksuar domosdoshmërinë sipas nesh, që publikimi i kësaj deklarate duhet bëhej njëkohësisht apo të paktën të pasohej pa humbur kohë nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e patolerueshme që sapo përmenda.

Na u tha se kjo nuk është e mundur momentalisht dhe se deklarata kritike ndaj Kosovës e kishte marrë mbështetjen e gjitha vendeve anëtare sipas procedurës së tyre dhe Shqipërisë i kërkohej linjëzimi me të, sin ë gjithë vitet e fundit.

Përgjigja jonë ishte negative, nuk u mirëprit nga Brukseli. Jemi të keqardhur me këtë, por qëndrimi ynë nuk ndryshon.

Jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim dhe besoj jo vetëm ne, për veprimet dhe mosveprimet e Serbisë. Ky qëndrim ka të bëj me çbalancimin total që deklarata e djeshme krijon në këto momente kaq dramatike, kur situata mund të përkeqësohet nga dita në ditë, nga ora në orë.

Sot, kam dalë për të shprehur shqetësimin tejet serioz si asnjëherë më parë në këto 10 vjet për rrezikshmërinë e lartë të situatës në veriun e Kosovës.

E dëgjuam me shumë vëmendje edhe prononcimin e zëdhënësit të Brukselit, që tha se s’mund të ketë një deklaratë tjetër pa pritur rezultatet e një hetimi se si ka rrjedh ngjarja e Banjskës.

Nëse minimalisht Serbia do të ishte distancuar nga grupi kriminal që i mori jetën efektivit të Kosovës dhe do të kishte kërkuar një hetim serioz.

Serbia zgjodhi nderimin për të vrarët nga forcat speciale të Kosovës, duke shpallur ditë zie.

Çfarë hetimi pret BE-ja. Nga kush? Nga autoritetet në Kosovë? Edhe me këtë do të ishin dakord, por nuk e dëgjuam nga zëdhënësi i BE-së. Nuk tha se do t’i pranonte rezultatet e palës së sulmuar.

A mos po heton BE-ja në mënyrë të pavarur. Edhe kjo do të ishte e pranueshme, por nuk po e shohim këtë.

Duhet të jetë dënimi pa ekuivok i vrasjes së efektivit të policisë nga një akt kriminal dhe dënimi i aktit absurd në Serbi për ditë zie.

MARKETING