Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë

Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka thënë se vitin tjetër do të sjellin në Kosovë edhe 40 trupa shtesë në kuadër të KFOR-it.

Malaj bëri të ditur se aktualisht numri i ushtarëve të Shqipërisë në kuadër të misionit të NATO-s, në Kosovë është mbi 100.
“Ne kemi një numër të caktuar të ushtarëve, në fakt kemi mbi 100 ushtarë në Pejë dhe në komandën e KFOR-it. Kam pasur takim me komandantin e KFOR-it dhe Shqipëria gjithmonë i ka qëndruar mendimit që KFOR-i duhet të forcojë praninë e tij dhe të jetë i pranishëm ku do në Kosovë për të realizuar misionin e tij që ka për siguri dhe të paqes për të gjithë qytetarët në Kosovë”, tha Malaj në një intervistë për Kosova Press.

“Mendoj se KFOR-i po e bënë këtë, ka rritur forcat dhe prania e saj në veri të Mitrovicës ndjehet më shumë, pikërisht duke parë edhe rrezikun, por nga ana tjetër edhe duke pasur idenë e tyre për të zbatuar sa më mirë misionin që ata kanë në Kosovë. Ne do të sjellim sërish trupa në vitin tjetër. Kështu Shqipëria edhe në vitin tjetër do të sjellë trupa shtesë në kuadër të KFOR-it për të qenë gjithmonë brenda detyrimeve të saj që ka si një shtet anëtar i NATO-s dhe aleat i fuqishëm i perëndimit. Ne në vitin tjetër do të sjellim edhe 40 forca”, tha Malaj.

Diplomati Malaj ka komentuar edhe deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se “Serbia po planifikon sulme të reja”.

“Përderisa flet presidentja e Kosovës dhe strukturat e tilla të një shteti i cili është mirë i organizuar pa dyshim që ata kanë informacionin e duhur i dinë shumë mirë këto gjëra. Unë nuk kam informacionin e duhur, ndoshta për detaje, por di që rreziku mund të jetë permanent”.

“Prandaj, duhet bëhen disa hapa dhe siç e tha edhe kryeministri jonë (Edi Rama) para disa ditësh, që Serbia me pas të vendos për të normalizuar këtë marrëdhënie. Nuk mund të shkojmë askund duke pasur vetëm konflikte. Patjetër që dialogu ka sjellë marrëveshje, ato kërkojnë zbatim të dy anshëm. Në rastin konkret Kosova ka bërë atë që duhet dhe po bën hapat e duhur për këtë gjë”, u shpreh ai..

MARKETING