Shpërthen zjarri në një ndërtesë në Shkup, lëndohen dy banorë, një zjarrfikës dhe një polic

Dy banorë, një zjarrfikës dhe një polic janë lënduar në një zjarr që shpërtheu mbrëmë në një ndërtesë në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, përballë komunës. Një apartament është djegur plotësisht, ndërsa disa të tjerë janë dëmtuar, duke lënë banorët pa strehë, ka njoftuar në Facebook kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski.
“Së bashku me ekipin tim, menjëherë u nisëm drejt vendngjarjes. Banorët e kësaj ndërtese janë evakuuar dhe aktualisht ndodhen në zyrën time, në një ambient të sigurt dhe të ngrohtë, ku do të qëndrojmë së bashku. Do të gjejmë një zgjidhje për këtë situatë, nuk e lë popullin tim në mëshirën e fatit! Dua të falënderoj ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit dhe MPB-së, të cilët me profesionalizmin e tyre përmbushën detyrën në nivelin më të lartë. Fatmirësisht, zjarri është lokalizuar dhe, më e rëndësishmja, nuk ka viktima,” ka shkruar kryetari Gjorgjievski.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për fqinjët për qetësinë e tyre dhe theksoi se, falë bashkëpunimit, u shmang një katastrofë e madhe.
“Këtë natë do ta kalojmë së bashku, do të sigurojmë strehim dhe që në orët e para të mëngjesit do të ndihmojmë me të gjitha burimet në dispozicion për të kapërcyer këtë tragjedi!” – thuhet në postimin e Gjorgjievskit.
Ndërkohë, komandanti i Brigadës Territoriale të Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit (BPPZ), Zvonko Tomevski, deklaroi mëngjesin e sotëm për MIA-n se zjarrfikësi i lënduar është dërguar për ekzaminime mjekësore dhe më pas është rikthyer në punë.