Shpërthen zjarr në deponinë “Drislla” në Shkup

Pasditen e sotme ka shpërthyer një zjarr i madh në deponinë e mbeturinave “Drislla” në afërsi të fshatit Batincë, në Shkup.
Sipas raportimeve zyrtare nga Departamenti i Zjarrfikësve të Shkupit, ekipet zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë dhe janë aktualisht duke punuar për fikjen e zjarrit. Në vendngjarje ndodhen edhe forca policore për të siguruar perimetrin dhe për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.
Drejtori i Drejtorisë për Menaxhim me Situata të Jashtëzakonshme (DMSH), Stojançe Angellov, siguroi qytetarët se zjarri nuk paraqet rrezik të lartë dhe se situata është nën kontroll.
“Ekipet e Departamentit të Zjarrfikësve të deponisë janë të angazhuara në shuarjen e flakëve. Duhet theksuar se fikja e një deponie është një proces kompleks për shkak të reaksioneve kimike dhe biologjike që zhvillohen brenda saj, të cilat prodhojnë gazra të ndezshëm”, deklaroi Angellov.