Shpërthejnë polemikat, ja ku gjendet Ronaldo pasi mungoi në funeralin e Diogo Jotas

Cristiano Ronaldo u fotografua për herë të parë që kur vendosi të mos merrte pjesë në funeralin e Diogo Jota, i cili vdiq tragjikisht në një aksident me makinë javën e kaluar.
Jota dhe vëllai i tij Andre Silva vdiqën në një aksident me makinë në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Spanjën veriore.
Dyshja u varros në Varrezat Gondomar në Portugali të shtunën pasdite, me shumë shokë të Jotas, përfshirë Bernardo Silva dhe Ruben Neves, që i bënë homazhe sulmuesit.
Megjithatë, kapiteni i Portugalisë nuk ishte një prej tyre dhe besohet se vendosi të mos shkonte në funeral për shkak të tragjedive të mëparshme që kishte pësuar në jetën e tij.
Një ditë pas funeralit, Ronaldo u fotografua duke pushuar në një jaht në Mallorca me Georgina Rodriguez, ndërsa vazhdon të përballet me vdekjen e Jotas.
Mediat portugeze raportuan se 40-vjeçari ishte në një jaht kur shumë prisnin që ai të fluturonte për në Gondomar, një komunë pranë Portos.
Sipas gazetës portugeze Record, Ronaldo mund të ketë vendosur të mos marrë pjesë në këtë ngjarje për shkak të ndjeshmërisë që lidhet me vdekjen e babait të tij, Jose Diniz Aveiro, i cili vdiq në shtator të vitit 2005 kur Ronaldo ishte vetëm 20 vjeç.
Ronaldo u trondit kur dëgjoi për vdekjen e Jotas, por thuhet se ai nuk udhëtoi sepse nuk donte që prania e tij të errësonte rëndësinë e nderimit të Jotës dhe vëllait të tij.
Ndërsa sulmuesi i Al-Nassr u kritikua nga disa anë për mungesën e tij, motra e tij Katia e mbrojti publikisht atë në rrjetet sociale.