Shpallet komiteti “teknokratik” për të mbikëqyrur tranzicionin në Gaza, Hakan Fidan pjesë e bordit ekzekutiv
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten anëtarët e komitetit të ri “teknokratik” që do të mbikëqyrë tranzicionin e pushtetit në Rripin e Gazës, si pjesë e planit me 20 pika të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit në këtë territor, transmeton Anadolu.
Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) do të udhëhiqet nga Dr. Ali Sha’ath, ish-zëvendësministër palestinez në Autoritetin Palestinez, thuhet në një deklaratë.
Shtëpia e Bardhë e përshkroi Sha’athin si “një lider teknokratik gjerësisht të respektuar, i cili do të mbikëqyrë rikthimin e shërbimeve publike, rindërtimin e institucioneve civile dhe stabilizimin e jetës së përditshme në Gaza, duke hedhur bazat për qeverisje afatgjatë”.
Në deklaratë u njoftua gjithashtu krijimi i një Bordi Ekzekutiv për Gazën që do të mbështesë qeverisjen dhe shërbimet, ku përfshihen ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan; i dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff; dhëndri i Trumpit, Jared Kushner; ish-kryeministri britanik Tony Blair; ministrja e Shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Reem Al-Hashimy; diplomati veteran nga Katari Ali Al-Thawadi dhe shefi i inteligjencës egjiptiane Hassan Rashad, ndër të tjerë.
U njoftua gjithashtu një Bord Ekzekutiv themelues për të udhëhequr Bordin e Paqes, i kryesuar nga Trump. Anëtarët përfshijnë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Witkoffin, Kushnerin, Blairin, miliarderin Marc Rowan, kreun e Grupit të Bankës Botërore Ajay Banga dhe këshilltarin politik amerikan Robert Gabriel.
Njoftimi vjen pasi Witkoff deklaroi të mërkurën nisjen e fazës së dytë të planit të armëpushimit në Gaza, duke thënë se fokusi do të zhvendoset te çmilitarizimi, qeverisja teknokratike dhe rindërtimi.
Armëpushimi në Gaza hyri në fuqi në tetor. Faza e parë ndali luftën, lejoi një tërheqje të pjesshme izraelite, mundësoi shkëmbimin e pengjeve izraelite me qindra palestinezë të mbajtur në Izrael dhe mundësoi hyrje të kufizuar të ndihmave humanitare në Gaza, ndonëse marrëveshja kërkonte akses të plotë.
Faza e dytë parashikon tërheqjen e plotë izraelite, çarmatimin e Hamasit, vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) dhe krijimin e një komiteti palestinez “teknokratik” për të qeverisur përkohësisht Gazën.
Palestinezët kanë deklaruar se Izraeli ka shkelur vazhdimisht armëpushimin, i cili pasoi luftën që ka shkaktuar më shumë se 71 mijë viktima – kryesisht gra dhe fëmijë – dhe mbi 171 mijë të plagosur që nga tetori i vitit 2023.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, janë vrarë afro 450 palestinezë dhe janë plagosur më shumë se 1.200 të tjerë.

