Shpallen përfituesit e granteve për organizatat e shoqërisë civile në kuadër të Programit të Ministrisë së marrëdhënieve ndërmjet bashkësive

Pas përfundimit të procesit të vlerësimit nga komisioni përkatës, sot u shpallën përfituesit e thirrjes publike për mbështetje financiare të shoqatave dhe fondacioneve, në kuadër të Programit të Ministrisë së Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, respektivisht Qeveria solli vendimin për shpërndarjen e mjeteve financiare nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025 të dedikuara për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve.
MARKETING
“Ky program i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut synon fuqizimin e partneritetit me sektorin civil, i cili ka një rol kyç në proceset demokratike, politikbërjen dhe ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Organizatat e shoqërisë civile janë aktorë të rëndësishëm në promovimin e transparencës, përfshirjes qytetare dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, duke kontribuar në zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik të vendit. Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të shoqërisë civile në nivel lokal dhe kombëtar, duke krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillimin e iniciativave qytetare dhe për përmirësimin e jetës së komuniteteve tona”, thuhet në komunikatë.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, theksoi rëndësinë e këtij programi si një mekanizëm për forcimin e partneritetit ndërmjet qeverisë dhe sektorit civil, një faktor kyç për zhvillimin demokratik, politikëbërjen gjithëpërfshirëse dhe ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme.
“Jam veçanërisht i lumtur dhe krenar që mes organizatave përfituese është edhe Shoqëria Kulturore ‘Jeta e Re’ nga Sllupçani, e cila me përkushtimin dhe energjinë e të rinjve të saj mban gjallë traditën dhe shpirtin kulturor në rajonin e Likovës”, u shpreh Fetai.
Ai uroi të gjithë përfituesit për sukseset e tyre dhe u shpreh i bindur se projektet që do të realizohen me këto grante do të pasurojnë më tej jetën kulturore, sociale dhe demokratike të vendit.