Shokon ish-sulmuesi i njohur: Jam në depresion të thellë, jeta po më rrëshqet nga duart

Shokon ish-sulmuesi i njohur: Jam në depresion të thellë, jeta po më rrëshqet nga duart

Daniel Osvaldo po kalon një periudhë shumë të vështirë në jetën e tij. Ish-futbollisti i Romës, Juventusit, Boca Juniors, por edhe i kombëtares italiane, ka shpërndarë në Instagram një video. Në të, argjentinasi flet i përlotur për varësitë dhe shëndetin e tij mendor.

Ja postimi i plotë i ish-futbollistit të njohur: “Kjo video është për të sqaruar disa gjëra dhe për të bërë disa rrëfime për vendimet e mia. E kam të vështirë të bëj një video të tillë, nuk e kam bërë kurrë diçka të tillë, por mendoj se ka ardhur koha.

Nuk jam fare mirë. Dua t’ju tregoj disa gjëra për jetën time. Prej kohësh kam një depresion shumë të rëndë, i cili më ka bërë të bie në disa varësi; alkool, drogë. Jam në një moment ku jeta ime po më rrëshqet nga duart. Doja ta ndaja me ju. Jam nën trajtim psikiatrik, marr ilaçe, kam një sëmundje specifike.

Më mungon vetëvlerësimi. Shumë herë bie përsëri në varësitë e mia, duke shkaktuar vetëshkatërrim dhe gjithashtu duke shkatërruar ata që më rrethojnë. Unë jetoj vetëm, i mbyllur në shtëpinë time, nuk dal kurrë, nuk bëj asgjë produktive. Ndonjëherë nuk dua as të ngrihem nga shtrati.

Dua t’jua tregoj të gjitha këto, sepse besoj se e vetmja mënyrë për t’ia dalë është që njerëzit të dinë se çfarë po ndodh me mua. Unë jam distancuar nga njerëzit që më kanë dashur dhe që më duan. Jam distancuar edhe nga familja ime dhe fëmijët. Dua t’i kërkoj falje Danielës, sepse për shkakun tim ajo po kalon ngjarje që nuk duhet t’i kalojë.

Nuk dua të luaj viktimën, por vetëm ty të dua. Dua të kuptosh se vendimet që marr në jetën time dhe zemërimi që ndjej ndaj botës dhe ndaj shumë njerëzve kanë të bëjnë me sëmundjen time, me depresionin tim.

Unë jam duke iu nënshtruar një trajtimi psikiatrik, por shumë herë është e vështirë, bie sërish pre e varësive të mia. Më kushton shumë të vazhdoj. Në të kaluarën kam qenë një futbollist i nivelit të lartë, tani jam një person krejtësisht tjetër, pa siguri dhe besim. Nuk e njoh as veten dhe po mundohem të dal nga e gjitha kjo.

Nëse ka dikush që po kalon të njëjtën situatë, apo ndonjë familjar, dua t’i them të flasë me familjen e tij, po më kushton shumë të hapem, të dal nga realiteti që është në kokën time. Kjo situatë nuk është reale, por ekziston brenda meje. Për mua është shumë e vështirë të dalloj se çfarë është reale dhe çfarë shpik koka ime. Nëse ka ndonjë që po përjeton një situatë të ngjashme, të kërkojë ndihmë, sepse nuk mund t’ia dalësh vetë. Mund t’i ndodhë kujtdo.

Nuk kam një punë të qëndrueshme, nuk kam të ardhura. Megjithatë, ky është aspekti më i vogël, sepse kurrë nuk më kanë interesuar paratë. Jam i varfër dhe mund të vdes i varfër, por nuk më intereson. Gjëja që më dhemb më shumë është se po varfërohem në shpirt. Kam qenë gjithmonë një shok i mirë, një mik i mirë; kam dashur të bëhem baba i mirë, por shumë herë kam dështuar.

Dua të kuptoni që shumë nga sjelljet e mia vijnë nga një vend brenda meje, që nuk mund ta kontrolloj, i bëj dëm vetes. Kërkoj falje nga miqtë, familja, fëmijët e mi dhe Daniela. E përsëris sërish: nuk dua të jem viktimë, por në në një farë mënyre detyroj veten të mos bie në të njëjtat gabime. Shpresoj që një ditë të kthehem në atë që isha më parë”.

MARKETING