Shkupi – Sileksi zyrtarisht nuk do të luhet, e konfirmon edhe FFM

Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) ka informuar përmes një komunikate se ndeshja e xhiros së 2-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë mes FC Shkupit dhe Sileksit, e planifikuar për më 17 gusht në orën 17:00, nuk do të zhvillohet.
Arsyeja për moszhvillimin e ndeshjes është mos sigurimi i një fushe të përshtatshme nga klubi nikoqir.
“Komisioni i garave i FFM-së në mbledhjen e parë të radhës do të diskutojë për rastin dhe do të marrë masa përkatëse në përputhje me rregullat e garës.
FFM gjatë periudhës së kaluar ka treguar mirëkuptim të plotë për situatën në të cilën ndodhet klubi.
Madje kemi lënë më shumë se sa mjaft kohë për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme.
Nga ana jonë, kemi bërë gjithçka që të gjitha klubet të kenë kushte të rregulluara në fillim të sezonit.
Por, nëse drejtuesit e klubit nuk kanë kapacitet për të kryer punën dhe detyrimet e tyre, atëherë përgjegjësia nuk mund t’i bartet FFM-së, por vetëm personave udhëheqës të klubit.
Gjithashtu, FFM thekson se në ditët e kaluara, drejtuesit e FC Shkupit kanë dërguar informacione të pasakta në “Shtëpinë e Futbollit” për katër stadiume të ndryshme ku supozohej se do të luhej ndeshja, duke krijuar kështu një pasqyrë të shtrembëruar për gjendjen aktuale.
FFM ka për detyrë të respektojë rregulloret e përcaktuara dhe këtë do ta bëjë në tërësi.
Shpresojmë që FC Shkupi do të tejkalojë gjendjen aktuale dhe së shpejti do të krijojë kushte për zhvillim normal të ndeshjeve”, thuhet në komunikatën e FFM-së.