Shkup, tubim paqësor i qytetarëve në nderim të viktimave

Mijëra qytetarë u mblodhën sot në sheshin Maqedonia në Shkup, për nderuar viktimat që humbën jetën në tragjedinë e Koçanit. Tubimi i qytetarëve ishte një vet organizim në rrjetet sociale, përmes faqes “kush është i radhës”, që aludon në viktimat e shumta që viteve të fundit kanë humbur jetën si pasojë e korrupsionit.
Qytetarët vendosën për tubim të qetë, për shkak se gjendja e viktimave në spitale vazhdon të jetë kritike dhe duke vlerësuar se dalja në rrugë, do të vështirësonte punën e atyre që po mundohen t’ua shpëtojnë jetën. Në këtë mënyrë, qytetarët vendosën lule dhe ndezën qirinj në nder të viktimave dhe me dritat e ndezura të telefonave, qëndruan në heshtje për më shumë se një orë. Ndërkohë, në duar mbanin pankarta ku thuhej, “Sistemi juaj vrau një gjeneratë të tërë”, “Nuk do t” kishte kaq gjak po të respektohej ligji”, “Mekati i tyre i vetëm ishte që kanë lindur në një vend të korruptuar”, “Viktima te korrupsionit”, etj. /SHENJA/