Gjashtë muaj pa drejtësi: Në Shkup përkujtohen viktimat e Koçanit

Gjashtë muaj pa drejtësi: Në Shkup përkujtohen viktimat e Koçanit

Me rastin e gjashtëmujorit të tragjedisë së zjarrit në Koçani të Maqedonisë së Veriut, në Shkup u mbajt një tubim përkujtimor, raporton Anadolu.

Nën organizimin e lëvizjes “Kush është i radhës?”, shumë qytetarë u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit, ku ndezën qirinj dhe dritat e telefonave në nderim të viktimave.

Në një tavolinë të vendosur me këtë rast, shkruan mesazhe mbështetjeje për familjarët e atyre që humbën jetën në këtë fatkeqësi.

Tubimi nisi në orën 20:16, duke simbolizuar datën e 16 marsit kur ndodhi tragjedia. Përveç kësaj, pjesëmarrësit qëndruan në heshtje për 16 minuta, si shenjë respekti dhe kujtese.

Në shesh u shpalos edhe një pankartë me mbishkrimin “Gjashtë muaj pa drejtësi në Koçan”, ndërsa disa protestues kishin të veshura bluza në të cilat shkruhej: “Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”.

Tragjedia e Koçanit ndodhi më 16 mars 2025, kur një zjarr i madh shpërtheu në një klub nate në qytet, duke shkaktuar 62 viktima dhe rreth 200 të lënduar. Ngjarja nxiti reagime të forta në opinionin publik, me kërkesa për hetim të plotë dhe sjellje të autorëve para drejtësisë.

MARKETING