Shkrimi i liderit boshnjak Alija Izetbegoviq – Muslimanët dhe Izraeli

Shkrimi i liderit boshnjak Alija Izetbegoviq – Muslimanët dhe Izraeli

Shkrimi i liderit boshnjak Alija Izetbegoviq – Muslimanët dhe Izraeli

Muslimanët dhe Izraeli
1.
Kohë më parë dikush vuri re se gjenerata bashkëkohore karakterizohet jashtëzakonisht me mosnjohjen e historisë. Ndoshta e vërteta e këtij konstatimi nuk manifestohet askund kështu si në çështjen e Palestinës.

Çdo herë që fillon biseda për këtë çështje, ndodh një konfuzion i habitshëm nocionesh jo vetëm te njerëzit e rëndomtë, por edhe tek ata që e konsiderojnë veten intelektualë. Ja këtu, para së gjithash, po sjellim disa fakte historike themelore:

– Rreth vitit 1270 para erës sonë Mojsiu i nxori hebrenjtë nga Egjipti;
– Katër shekuj të mbretërisë hebraike përfshijnë periudhën nga shekulli i X-të deri në shekullin e VII para erës sonë. Mbreti David (rreth 990) dhe mbreti Solomon (rreth 960);
– Në shekullin e XI-të, shteti hebraik ndahet në dy shtete të vogla: Izraeli dhe Judeja. Asirianët në vitin 721 para erës së re e nënshtrojnë Izraelin, Judeja bie në vitin 604, por përsëri bëhet rithemelimi i shtetit dhe mbahet disi deri në vitin 700 pas Isait a.s. kur perandori romak Titusi e nënshtroi përfundimisht dhe e shkatërroi Jerusalemin;
– Në vitin 587 para erës së re Nebukadnetsari II i emigroi hebrenjtë në Babiloni (pothuajse të gjithë, përveç një numri të vogël nga shtresa jonë, të cilët shkojnë në Egjipt), 540 hebrenj kthehen nga robëria babilonase dhe përsëri e ndërtojnë tempullin;
– Në vitin 142 pas erës sonë, Tertuliani i shpërnguli pothuajse të gjithë hebrenjtë. Disa i dërgoi në gali dhe të tjerët në Rhine për të mbrojtur perandorinë nga barbarët (nga këta të fundit e kanë prejardhjen Ashkenazët).

Nga këto të dhëna shihet se shteti hebraik në Palestinë është vendosur tërësisht në periudhën para erës sonë. Nga viti 70 e deri më 14. V. 1948 – nëntëmbëdhjetë shekujt e fundit – nuk ka ekzistuar asnjë njësi shtetërore hebraike në tokën e Palestinës. Gjatë pjesës së parë të kësaj periudhe prej 6 shekujsh, Jerusalemi i ndërronte sunduesit (Roma, Persia, Bizanti). Në vitin 638 Jerusalemin e marrin muslimanët dhe halifi Omer, i cili personalisht e merr atë nga Patriarku Sofroniu, përcakton statusin e tij si qytet i lirive fetare për të tre religjionet e mëdha botërore. Që atëherë e deri në vitin 1918 – gati 13 shekuj – Palestina dhe Jerusalemi ishin nën sundimin e muslimanëve. Ky sundim i vazhdueshëm islam në Palestinë ka pasur vetëm dy ndërprerje relativisht të shkurtra: e para në kohëzgjatje prej 88 vjetësh (1099-1187), kur Jerusalemin e mbajnë kryqtarët e Gottfried Bouillon-it dhe e dyta në kohëzgjatje prej 16 vjetësh (1228-1244), kur këtë qytet në bazë të kontratës me sundimtarin fatimid të Egjiptit e mban perandori Frederiku II.
Kështu qëndron çështja me të ashtuquajturën “e drejta historike” e hebrenjve në Palestinë.

2.

Izraeli është fenomeni i vetëm në historinë politike në kuptimin që, ky shtet në momentin e themelimit, nuk kishte as territor as popullsi. Territorin e përvetësoi me blerje dhe rrëmbim, e popullsinë me emigracion nga të gjitha vendet e botës. Në këtë drejtim Izraeli prezanton shtetin pa precedent në histori.

Ideja e parë e përcaktuar mbi shtetin hebre në Palestinë paraqitet në veprën e Der Judenstaal (“Shteti hebraik”) nga Theodor Herzli, themeluesi i organizatës sioniste (rreth vitit 1895). Momentet e mëvonshme me rëndësi për krijimin e Izraelit janë:
– Deklarata e Balfour-it 1917, me të cilën parashihet ndihma e Britanisë së Madhe në hapjen e shtetit hebre në tokën e Palestinës;
– Emigrimi i hebrenjve në Palestinë në bazë të kësaj deklarate (kështu midis dy luftërave emigruan mbi 400.000 hebrenj);
– Më 14 maj 1948 Agjencia Hebraike (organi suprem i organizatës botërore sioniste) shpall Izraelin; menjëherë pas kësaj shpërthen lufta midis Izraelit dhe shteteve fqinje arabe;
– Armëpushimi më 18 VII 1948 dhe ndarja e Palestinës. Izraeli merr 6400 milje2. Arabët marrin 3600 milje2;
– Dy zgjërime të Izraelit me grabitjen paralele të tokës dhe dëbimin e arabëve; i pari ndodh pas luftës më 1956 dhe i dyti pas luftës në vitin 1967.
Llogaritet se në momentin e krijimit të Izraelit në vitin 1948, në Palestinë jetonin rreth 750,000 hebrenj, kështu që raporti numerik midis arabëve dhe hebrenjve ishte 3:1. Pas krijimit të Izraelit e deri në vitin 1967, emigruan edhe 1,350,000 vetë. Sipas disa të dhënave, Izraeli në vitin 1967 numëronte diçka më shumë se 2.300.000 banorë. Pjesën më të madhe të mjeteve për emigrim e jepte i ashtuquajturi Fondi Popullor Hebraik (“Keren Kejamet”), i cili u themelua që në fillim të këtij shekulli dhe i cili mbledh kontribute vullnetare nga hebrenjtë e mbarë botës.

Hebrenjtë evropianë – Ashkenazët – përbëjnë shumicën e popullsisë hebraike të Izraelit. Dhe jo vetëm kaq: ata mbajnë të gjitha postet udhëheqëse në qeveri, ushtri dhe administratë. Hebrenjtë me origjinë nga Lindja e Mesme janë kryesisht punëtorë të pakualifikuar.

Ashkenazët, të cilët kurrë më parë nuk kanë pasur kontakt me arabët, janë bartës të kursit të njohur osion dhe ekstrem ndaj arabëve. Ata vijnë nga Franca, Rusia dhe Gjermania dhe janë mirë të armatosur, të arsimuar dhe të pamëshirshëm, i bëjnë shtypje popullit vendase, duke krijuar “hapësirë jetese” për shtetin e ri.
Çka mund të pritet nga ky shtet i lindur nga padrejtësia dhe dhuna? Ekzistojnë krime, por ekzistojnë edhe gjëra që përbëjnë “ideologjinë” e Izraelit, të cilat me paradoksin e tyre janë befasuese. Ja, pra, vetëm disa prej tyre:
– Sionizmi, i cili u paraqit si reaksion i persekutimeve pothuajse permanente të hebrenjve në Evropë, të gjithë helmin, zemërimin dhe hakmarrjen e grumbulluar e derdhi ndaj arabëve dhe aty ku ndodhnin hebrenjtë gjithmonë jetonin të siguruar dhe të mbrojtur. Izraeli sot, për shembull, është në miqësi me gjermanët dhe në armiqësi me arabët, ndonëse sipas të gjitha llogarive duhej të ishte e kundërta;
– Hebrenjtë, të cilët gjithmonë deklaroheshin si kozmopolitë dhe internacionalistë (të paktën të tjerët gjithmonë i bindnin se duhej të ishin të tillë). Sot janë shembull i nacionalizmit më të verbuar;
– Hebrenjtë, të cilët ishin viktimat më të rënda të racizmit dhe gjenocidit, sot janë bartës të tij; ata praktikisht vazhduan metodat e Hitlerit për përdorimin jonjerëzor të forcës, zhvendosjes, qëndrimit osion ndaj të mundurve, madje edhe taktikave ushtarake blitzkrieg, sulmit të befasishëm pastaj hakmarrjes dhe llogaritjes së pamëshirshme;
– Hebrenjtë ishin maja e shumë revolucioneve me parulla të lirisë, vëllazërisë, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së të dobëtëve, kurse në Izraelin e sotëm, ne gjejmë edukimin spartan, organizimin e shoqërisë sipas kërkesave ushtarake, me materialin e fanatizuar njerëzor, me parimet makiaveliste të politikës shtetërore dhe devizave niçeane mbi të drejtën e të fortit dhe moralin e forcës. Kjo filozofi e forcës askund nuk manifestohet aq qartë si në banalizimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe injorimin e qëndrimeve dhe thirrjeve të opinionit ndërkombëtar dhe institucioneve të tij. Këtu pothuajse se analogjia është e plotë me Gjermaninë naziste.
Kështu, për shembull, OKB voton rezolutën e 11. XII 1948 për kthimin e refugjatëve arabë në shtëpitë dhe pronat e tyre, dhe kompensimin për dëmin e shkaktuar. Në vend të kësaj Izraeli i konfiskon pronat e refugjatëve arabë, i shkatërron shtëpitë e tyre, kurse në pronat e tyre ndërton vendbanime për ardhacakët hebrenj nga Evropa.

Më 9. XII 1949 OKB voton rezolutën për internacionalizimin e Jerusalemit. Izraeli jo vetëm që nuk e pranon këtë rezolutë, por në verën e vitit 1967 sjell vendimin për aneksimin e plotë të Jerusalemit. Pak më tutje do të shohim se për të gjithë johebrenjtë si duket ky aneksim.

Në korrik të vitit 1967 Kombet e Bashkuara e urdhërojnë Izraelin të tërhiqet nga territoret e okupuara arabe, kurse Aba Ebani, ministër i punëve të jashtme të Izraelit, në një debat deklaroi: “Izraeli nuk do të kthehet në linjat e armëpushimit po edhe sikur Asambleja e Përgjithshme me 121 votë pro të sjellë një vendim të tillë.

Vallë, këto dhe qëndrimet e këtilla të Izraelit a nuk na përkujtojnë mospërfilljen e Kombeve të Bashkuara nga ana e Hitlerit?

3.

Në shqyrtimin e marrëdhënieve ndërmjet hebrenjve dhe muslimanëve, gjithmonë duhet të kihet parasysh një fakt: hebrenjtë kanë jetuar në vendet ku muslimanët kanë pasur shumicën dhe pushtetin, edhe atë në shumë shtete dhe gjatë shumë shekujve; në të kundërt, muslimanët kurrë nuk kanë jetuar nën pushtetin hebraik, përveç kësaj kohe të shkurtër nën Izrael.
Çfarë qëndrimi kanë hebrenjtë ndaj muslimanëve në Izrael, këtë e dinë të gjithë, sepse ky është realiteti i ditëve të sotshme. Mirëpo, çfarë qëndrimi kanë pasur muslimanët ndaj hebrenjve në shtetin musliman, kjo më pak dihet, sepse kjo është çështje e historisë. Mund të supozohet se me dhunën e sotshme ndaj muslimanëve, hebrenjtë ua kthejnë “të mirën me të mirë”, lajnë hesapet e mëparshme.
Historia dëshmon qartë për dy fakte:
1. Hebrenjtë në vendet muslimane çdo kund gëzonin paqen maksimale dhe tolerancën fetare, dhe
2. Nëse ka pasur ndonjë sulm të rrallë kundër hebrenjve, ato kanë qenë raste individuale që humbin në periudhën grandioze të ndikimeve dhe raporteve të ndërsjella. Një reaksion i përgjithshëm kundër hebrenjve në kuptimin e antisemitizmit evropian nuk ka ekzistuar kurrë në botën arabe dhe islame.

Bertrand Rasselli thotë: “Muhamedanët janë sjellë në mënyrë njerëzore me hebrenjtë, kështu që atyre iu mundësua të merreshin me filozofi dhe spekulime të ndritura”.
Kur në vitin 1492 ra Granada, shteti i fundit musliman në Spanjë, muslimanët dhe hebrenjtë përjetuan fatin e njëjtë të persekutimit dhe shfarosjes. Rreth 300,000 hebrenj atëherë u arratisën, prej të cilëve shumica (llogaritet rreth 200,000) gjetën azil në Perandorinë Osmane, ku u pranuan me zemërgjërësi dhe gjetën të gjitha kushtet për punë dhe jetë normale.

Enciklopedia hebraike qartë pranon se jeta e hebrenjve në Spanjë “nën sundimin arab arriti deri atëherë një përparim të pashembullt, sidomos në fushën kulturore” dhe flet qartë për simbiozën kulturore hebraike-arabe, e cila u kultivua gjatë shumë shekujve dhe në vende e kushte të ndryshme. Ky është pranim, e “pranimi është mbretëresha e dëshmive”.

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja se si erdhi dhe kujt i duhej ky konfrontim artificial midis arabëve dhe hebrenjve.

Kjo çështje është edhe më me vend nëse raporti nuk vështrohet nga një perspektivë momentale, por nga një perspektivë më e përhershme. Atëherë shihet qartë se, në fakt, nuk bëhet fjalë për konfrontimin midis hebrenjve dhe palestinezëve, as midis hebrenjve dhe vendeve fqinje arabe. Duke pasur parasysh rëndësinë specifike të Jerusalemit, ky konfrontim do të duhet patjetër herët a vonë të kthehet në një konfrontim midis hebrenjve dhe muslimanëve në përgjithësi. Çka do të ndodhë kur çështja e Jerusalemit të “islamizohet”, kur kjo të bëhet çështje e përgjithshme muslimane, e cila, në fakt, edhe është që nga fillimi i saj?[1]

Nga kjo perspektivë globale Izraeli na paraqitet si një “geto” e madhe e veçantë në detin e botës islame, si një trup i huaj në një organizëm të madh. Por, këtë herë edhe këtë geto edhe urrejtjen, me të cilën çdo geto duhet të jetë e rrethuar, e krijuan vetë hebrenjtë. Kjo e bën këtë situatë specifike.

Babai shpirtëror i Izraelit Theodor Hercli, në “Shtetin Hebraik” dhe në romanet e tij vizionare qysh para 70 vjetësh, i parashikoi me saktësi të mahnitshme migrimet e hebrenjve, krijimin e Izraelit, ngritjen e bujqësisë, industrisë moderne mbi baza shkencore dhe organizimin e shoqërisë, si dhe shumë gjëra të tjera deri në detaje. Është interesante se ai – me vetëdije apo pa vetëdije – e neglizhoi një faktor vendimtar: rezistencën e popullatës autoktone. Shteti Hebraik i tij jeton dhe zgjërohet sikur rreth tij të ketë një hapësirë të zbrazët. Ai nuk shkel, nuk uzurpon dhe nuk ushtron dhunë përreth. Ky “parashikim” i Hercl-it bën që vizioni i tij profetik të bie në tërësi. Për arsye se faktori i rezistencës do të jetë ai që do të ndikojë në mënyrë vendimtare jo vetëm në karakterin real të shtetit të tij, por edhe në fatin e tij përfundimtar.

4.

Jerusalemi nuk është një qytet i zakonshëm. Ai është një qytet i veçantë ku të tre religjionet më të mëdha botërore kanë faltoret (tempujt) e tyre, prej të cilave nuk mund të heqin dorë.
Kush mund të sigurojë Jerusalemin e lirë, të hapur në mënyrë të barabartë për të gjithë?

Teorikisht dhe praktikisht këtë mund ta bëjnë vetëm muslimanët.
Teorikisht, sepse vetëm Islami e pranon Musain dhe Isain, Ungjillin dhe Tevratin, kurse në të kundërtën, të krishterët dhe hebrenjtë nuk e njohin Muhammedin dhe Kur’anin.[2] Ky fakt është një element i epërsisë së muslimanëve në këtë çështje.

Praktikisht, sepse Jerusalemi gjendet në botën muslimane. Çdo pushtet jo-islam në Jerusalem do të prezantonte një gjendje të panatyrshme, që do të mund të mbahej vetëm me fuqi, kurse një gjendje e tillë tensioni asnjëherë nuk është gjendje dhe klimë e lirisë.

Historia i vërteton shumë qartë këto qëndrime.
Jerusalemi gjatë gjithë kohës së sundimit islam ka qenë një qytet i lirë për të tre religjionet. Gjendja e jo-lirisë në të përkon me mungesën e sundimit musliman. Kjo ndodhi në dy faza. Herën e parë kur Jerusalemin e pushtuan kryqtarët (1099-1187) dhe herën e dytë tani në kohën tonë kur ai ndodhet në duart e Izraelit.

Në “Encyclopaedia Britannica” lexojmë këto reshta për marrjen e Jerusalemit në luftën e parë kryqtare: “…Pas rrethimit që zgjati pak më shumë se një muaj, Jerusalemi u pushtua (15 korrik 1099). U bë një masakër e tmerrshëm. Rrugëve vërshuan rrjedhat e gjakut, të të mundurve. Por, kur ra errësira, kryqtarët, duke qarë nga gëzimi i papërmbajtur, kaluan rrugën për te Varri i Shenjtë dhe aty në lutje i lidhën duart e tyre ende të përgjakura. Kështu atë ditë të nxehtë korriku përfundoi lufta e parë e kryqëzatave”.

Këtë krahasoni me marrjen e Jerusalemit nga muslimanët në vitin 638, siç e përshkruan këtë ngjarje H. G. Wells në veprën e tij “Historia e Botës”: “Gjatë negociatave për dorëzimin e Jerusalemit, u vendos një kusht i pazakontë: u kërkua që ai t’i dorëzohej personalisht vetëm halifin Omer… Omeri bëri një rrugë të gjatë prej 600 miljesh deri në Jerusalem me një shoqërues të vetëm. Udhëtoi hipur në deve, e pajisjet e vetme për udhëtimin e tij ishin: një shportë më e madhe plot me elb, një tjetër plot hurma, një shakull uji dhe një çini për ushqim… Ai pa përcjellës u takua me Patriarkun e Jerusalemit, i cili me sa duket kishte pranuar qeverisjen e qytetit nga duart e sundimtarëve bizantinë. Ata të dy menjëherë ranë dakord. Patriarku i priu halifit për t’i treguar vendet e shenjta dhe Omeri sërish u disponua, kështu që ai filloi të bëjë shaka për prijësit e tij të veshur në mënyrë luksoze”.

Jerusalemin muslimanët e morën në mënyrë paqësore dhe pa dhimbje, si pronarë të ligjshëm dhe sikur ai t’iu përkiste atyre shekuj me radhë. Ky nuk ishte pushtim, por mision.
Për të gjithë 88 vjetët sa kohë e mbajtën kryqtarët Jerusalemin, as këmba hebraike as ajo muslimane nuk arritën të shkelnin në tokën e tij (dihet se organizatori i luftës së parë kryqtare, Pjetri Hermiti, disa herë bëri pelegrinazhin në Jerusalem derisa ai ndodhej në duart e muslimanëve).

Sulltan Salahudini kur e ktheu Jerusalemin (1187), iu mundësoi hebrenjve të kthehen në qytet dhe solli zakonin e njohur të vëllazërimit midis fëmijëve muslimanë dhe hebrenj, zakon ky që nuk ka precedent në marrëdhëniet midis dy popujve të ndryshëm.
Hebrenjtë erdhën të sundojnë plotësisht Jerusalemit pas luftës së vitit 1967. Çfarë regjimi të lirive fetare ata sollën në këtë “qytet të tre feve”?

Lidhur me këtë kohë më parë u njoftuan të dhënat të cilat personalitetet e kishës ortodokse-greke, katolike dhe ungjillore të Palestinës i paraqitën para komisionit të anketimit të Kombeve të Bashkuara. Këto të dhëna vetëm konfirmojnë atë që mund të paramendohet.

Peshkopi katolik Semaani pohoi se izraelitët e shkatërruan plotësisht kishën katolike siriane, e cila ndodhet mu pranë mureve të Jerusalemit të vjetër. Një pjesë e mureve të kishës së Shën Ane gjithashtu u rrënua, në mënyrë që automjetet ushtarake izraelite të mund të kalonin nga pjesa e re në pjesën e vjetër të qytetit. Kisha armene e Shpëtimtarit të Shenjtë në Jerusalem u shkatërrua pothuajse plotësisht. Dritaret e saj u shndërruan në frëngji të ushtrisë izraelite, kurse prej saj u mor mozaiku i famshëm bizantin nga shekulli i IV-të.

Kryepeshkopi Diodoros, i pari i kishës ortodokse greke, deklaroi se ushtria izraelite hyri në kishën e Shën Gjon Pagëzorit në Ain Karin dhe mori gjithçka që mund të bartej. Ushtarët në mure shkruan “wc” dhe kisha në fakt është përdorur si nevojtore. Nga kisha e Shën Elias në rrugën e Betlehemit, oficerët dhe ushtarët izraelitë i morën ikonat, vazot dhe mobiliet.

Në Zagë izraelitët i morën shkrimet antike nga Xhamia e vjetër, kurse nga kisha kopte në të njëjtin qytet morën çdo gjë.
Më në fund, u dogj Xhamia El-Aksa, faltorja më e madhe e muslimanëve pas Qabesë në Mekë, si pasojë e natyrshme e atmosferës që krijuan izraelitët rreth të gjitha objekteve jo-hebraike në Jerusalem.

Vlerën e vërtetë të këtyre fakteve historike e kupton vetëm ai që në to sheh jo rastësi, por ligjshmëri. Siç e pamë, në pyetje është qëndrimi kryesisht ndryshe i Islamit ndaj religjioneve që bazohen në Shpallje. Qëndrimi i Islamit ndaj krishterimit dhe judaizmit nuk është një qëndrim tolerance, por qëndrim njohjeje. Islami nuk toleron, por e pranon krishterimin dhe judaizmin. Tempujt e tyre të adhurimit janë tempuj të vërtetë, në to përmendet dhe madhërohet i njëjti Zot.[3]
Në të kundërt, ne nga të krishterët dhe hebrenjtë, në Jerusalem dhe gjetiu mund në rastin më të mirë të presim tolerancë, e toleranca është përherë një gjendje jo e obligueshme, e përkohshme dhe në thelb e përcaktuar negativisht.

5.

Në përfundim të këtij prezantimi, dëshirojmë të tërheqim vëmendjen në lidhje me një fakt që çuditërisht shpesh hetohet në mënyrë të pamjaftueshme.

Forca e Izraelit në këtë konfrontim në Palestinë është rezultat i mbështetjes dhe solidaritetit të jashtëzakonshëm të diasporës, do të thotë, të të gjithë hebrenjve të botës. Dobësia jonë, në të kundërtën, është pasojë e mungesës së solidaritetit, mbështetjes së pamjaftueshme dhe në disa raste mosmarrëveshjeve të hapura. Nuk ka unitet ndaj përçarjes.
Nëse të gjithë hebrenjtë e botës janë bashkuar për të mbështetur një luftë të padrejtë dhe agresive, aq më tepër muslimanët kanë të drejtë të bashkohen për një mbrojtje të drejtë dhe për të siguruar një paqe të drejtë.

Solidariteti i hebrenjve nuk është vetëm në fjalë. Ja, pra, disa fakte interesante dhe mësimdhënëse:
Prej vitit 1950 deri në vitin 1963 në ekonominë izraelite janë investuar 900 mil. dollarë të kapitalit të huaj, kryesisht kapital i hebrenjve nga perëndimi. Pas vitit 1963, investimet e huaja hebraike arrijnë mbi gjysmë miliardë (hebrenjtë nga Kanada).

Dhuratat individuale sjellin rreth 15 mil. dollarë në vit. Vetëm familja Rothschild me rastin e ditëlindjes së babait të tyre kontribuoi me 100 milionë dollarë. Apeli i hebrenjve të bashkuar i jep Izraelit mes 150 deri në 200 mil. dollarë në vit. Llogaritet se Izraeli në forma të ndryshme brenda 20 vitesh ka pranuar si dhuratë rreth 7,5 miliardë dollarë (për çdo izraelit nga 3.100 dollarë).
Në gusht të vitit 1967 në Jerusalem u mbajt konferenca e miliarderëve hebrenj ku u tubuan 60 industrialistë dhe financierë nga 15 vende, të cilët ishin të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të shtetit të izraelit. etj., etj.

Ne nuk duhet t’i urrejmë hebrenjtë për shkak të këtij solidariteti. Në vend të kësaj, ne duhet të marrim mësim nga kjo. Duhet patjetër të bëjmë përpjekje për të qenë të bashkuar dhe të fortë ose më të fortë se ata.

Forca jonë nuk do të jetë e dobishme vetëm për ne. Ai që është i dobët, është i padrejtë jo vetëm ndaj vetes, por edhe ndaj fqinjëve të tij, sepse mund t’i vë në sprovë ata që ta sulmojnë. Nuk është rastësi që ideja për Izraelin lindi në momentin kur forca politike e Islamit ishte e barabartë me zero. Nëse në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli nuk do të mbizotëronte në botën islame një gjendje e tillë siç është, as anglezëve as hebrenjve nuk do t’u shkonte kurrë në mendje të përfytyronin një shtet hebre në trupin tonë të gjallë. Me dobësinë tonë i drejtuam në rrugë të gabuar, u dhamë shans aventurierëve dhe megalomanëve të tyre dhe lejuam që në kokat e tyre të lindin mendime të llojllojshme, jo vetëm për Izraelin e vogël dhe të madh, por edhe për sundimin mbi zonat shumë më të gjëra të botës sonë. Pasi që ne ishim qengja, ata u bënë ujqër.

Prandaj le të bëhemi të fortë për ne dhe për ta, dhe për paqen në këtë pjesë të botës.

Por të theksojmë: jo për atë që nesër Jerusalemi të jetë vetëm i muslimanëve, por sërish të jetë i hapur për të gjithë dhe të mbetet burim i patrazuar nga i cili rrjedhin tre lumenjtë e mëdhenj të njerëzimit.
Shkruan:
L. S. B.
Pseudonimi L.S.B. i takon Alija Izetbegoviqit.
Artikulli është botuar në Takvim 1970 v.-B.I.Sarajevë
Përktheu nga boshnjakishtja Hamdi Iljazi

[1] Kohë më pare u dogj Xhamia El-Aksa. Me sa duket disa vetëm në dritën e këtij zjarri e panë se Jerusalemi nuk është çështje e një kombi, por çështje e të gjithë muslimanëve.

[2] “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thojuni: “Ne i besuam asaj që na u zbrit dhe që u zbrit juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij” Kur’an 29/46.

[3] Në lidhje me këtë shih artikullin: Përsiatje mbi tolerancën nga F. Aynas.

MARKETING