Shkëndija nesër përballë Ludogoretsit, flasin Jeton Beqiri dhe Reshat Ramadani

Shkëndija nesër do të luaj ndeshjen e parë të fazës së plej of-it në Liga Europa kundër Ludogoretsit të Bullgarisë. Me një vend të sigurt në grupet e Ligës së Konferencës dhe pas mbylljes së aventurës në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, skuadra shqiptare nga Tetova do të kërkojë një shans për kualifikim në grupet e Liga Europës dhe pengesa e vetme është Ludogoretsi, me të cilët do të përballet nesër për herë të parë, teksa bileta e kualifikimit për njërën ose tjetrën palë merret pas një jave në Bullgari. Skuadra e Jeton Beqirit është futur në ritëm të mirë me ndeshjet e europiane, teksa në këtë duel vjen pas triumfit ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit në kampionat.
Jeton Beqiri: “Normalisht që ndeshjet janë afër njëra-tjetrës dhe hapësira për tu përgatitur nuk janë ideale për shkak të fillimit të kampionatit, por ne jemi të detyruar që çdo ndeshje ta marrim me seriozitetin maksimal si në Kupat e Europës ashtu edhe në kampionat. Besoj se jemi dhe duke e bërë atë, kemi kundërshtar serioz dhe me shumë eksperiencë të fuqishme para nesh, por unë doja të them që përveç që u përballëm në xhiron e parë ndaj TNS-së, gjithë ekipet tjera si Steaua e Bukureshtit apo edhe Qarabag dhe kundërshtari i nesërm, janë ekipe të nivelit të lartë, ku disa vite me radhë, marrin pjesë në grupe të kompeticioneve evropiane. Shpresoj që ekipi të japë maksimumin dhe jam i sigurt që do bëjnë paraqitjet të mirë për shkak se përveç ndeshjes që kemi zhvilluar me ekipin e Qarabgut, besoj që ndeshjet tjera do jenë të pranueshme nga ana e skuadrës dhe shpresoj që nesër do kemi një paraqitje pozitive”.
Reshat Ramadani: “Kemi atmosferë të mirë në ekip. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës dhe me shumë fokus dhe përkushtim do të kërkojmë të nxjerrim më të mirën përballë një kundërshtari të fortë, pasi edhe ne i kemi cilësitë tona. Presim një ndeshje të luftuar, e dijmë se është e vështirë, por ne do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv”.
Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Ludogoretsit zhvillohet nesër mbrëma në arenën “Todor Proeski”, duke nisur nga ora 20:00.