Shkëndija ndalet me barazim, fiton Vardari në Kratovë
Shkëndija e Tetovës është ndalur me barazim 1:1 nga Brera e Strumicës në duelin e luajtur gjatë ditës së sotme në kuadër të xhiros së 22-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Skuadra e Shkëndijës nuk e nisi mirë ndeshjen kur në minutën e 15-të mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me karton të kuq të Imran Fetait. Edhe përkrahë kësaj negative numerike në fushë, kuqezinjtë gjetën golin përmes Krasniqit në minutën e 33-të. Këtë epërsi Shkëndija e kishte deri në minutën e fundit të shtesës, aty ku Velkovski arriti të barazojë shifrat në 1:1. Ndërkohë në duelin tjetër Vardari arriti të triumfojë në Kratovë, duke e mundur Sileksin me rezultatin 0:1. Xhiroja e 22-të mbyllet nesër me duelin e vetëm Rabotniçki – Arsimi që luhet nga ora 14:00.

