Shkëndija me pesë ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve dimërore

Shkëndija me pesë ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve dimërore

KF Shkëndija ka zyrtarizuar programin e ndeshjeve kontrolluese në kuadër të përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit. Kuqezinjtë do të zhvillojnë gjithsej pesë ndeshje miqësore, një në vend dhe katër gjatë fazës përgatitore që do të mbahet në Antalia të Turqisë.

Ndeshja e parë miqësore është planifikuar për më 15 janar, ku Shkëndija do të përballet me AP Brera nga Strumica në vendin tonë. Dy ditë më pas, më 17 janar, skuadra do të udhëtojë drejt Antalias, ku deri më 1 shkurt do të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve dimërore.

Gjatë qëndrimit në Turqi, ekipi tetovar do të përballet me kundërshtarë ndërkombëtarë në katër ndeshje kontrolluese. Programi i takimeve në Antalia përfshin përballje me FC Oleksandrya nga Ukraina më 20 janar, FK Podbrezova nga Sllovakia më 24 janar, FK Sarajevo nga Bosnja dhe Hercegovina më 28 janar, si dhe FC Ordabasy nga Kazakistani më 1 shkurt.

Stafi teknik synon që përmes këtyre ndeshjeve të rrisë nivelin fizik dhe taktik të skuadrës, si dhe të testojë formacionin në prag të rifillimit të garave zyrtare.

MARKETING