Shkëndija: Futbolli duhet të vendoset në fushë, jo në tavolinë

Shkëndija: Futbolli duhet të vendoset në fushë, jo në tavolinë

Pas barazimit me Brerën në kuadër të xhiros së 22-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, KF Shkëndija ka dalë me një reagim publik, duke shprehur pakënaqësi të madhe ndaj vendimeve të arbitrave.

Në komunikatën e publikuar nga klubi tetovar thuhet se për një kohë të gjatë kanë zgjedhur të heshtin, duke besuar se institucionet përgjegjëse do të reflektojnë dhe do të ndërmarrin masa për të garantuar drejtësi në kampionat. Megjithatë, sipas tyre, ngjarjet në dy ndeshjet e xhiros së 22-të, Shkëndija–Brera dhe Sileksi–Vardari, përbëjnë “kufirin e fundit”.

Nga Shkëndija vlerësojnë se vendimet e arbitrave kanë qenë skandaloze dhe, sipas tyre, në mënyrë të përsëritur kanë favorizuar Vardarin, gjë që, sipas klubit, dëmton integritetin e garës dhe krijon një perceptim negativ për administrimin e kampionatit nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Klubi thekson se heshtja e deritanishme është interpretuar si dobësi, ndërsa shton se investimet në Shkëndijë janë private dhe rezultat i sakrificave për të ndërtuar një klub serioz që përfaqëson vendin në garat ndërkombëtare.

Në reagim paralajmërohet se, nëse sipas tyre vazhdon qasja e pabarabartë dhe referimi i kontestueshëm, drejtuesit e klubit mund të vënë në pikëpyetje vazhdimin e investimeve në këtë ambient. Po ashtu, ata bëjnë të ditur se për zhvillimet në kampionat mund të informojnë edhe institucionet ndërkombëtare, përfshirë UEFA-n.

“Futbolli duhet të vendoset në fushë, jo në tavolinë. Shkëndija nuk kërkon asgjë më shumë se kaq”, thuhet në fund të reagimit të klubit tetovar.

MARKETING