Shënohet 100-vjetori i xhamisë “Burmali” – bërthama e identitetit qytetërimor të Shkupit

Shënohet 100-vjetori i xhamisë “Burmali” – bërthama e identitetit qytetërimor të Shkupit

Në përputhje me shpalljen e vitit 2024 si vit i shënimit të kthesave të mëdha historike për shqiptarët, ITSHKSH sot shënoi 100-vjetorin e rrënimit të xhamisë “Burmali”, duke hapur kështu një cikël aktivitetesh kulturore dhe shkencore, që nisën me promovimin e pullës postale me figurën e xhamisë “Burmali” në kuadër të aktivitetit të sotëm.

Në fjalën e tij të rastit, drejtori i ITSHKSH Skender Asani, paraqiti një pasqyrë historike për duke u bazuar në fakte dhe dokumente të gjetura në arkivat të rajonit. “Me rrënimin e xhamisë Burmali, më 1924, u bë përpjekja për ta rrënuar dhe betonizuar identitetin shqiptar në Shkup. Pushteti serb e rrënoi xhaminë, e mbylli Xhemietin dhe kështu e vijoi planin për realizimin e reformës agrare dhe kolonizimin, që në thelb kishte për qëllim t’i shpërngulë shqiptarët nga vatrat e tyre autoktone”, deklaroi drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani.

Këtë ngjarje e nderoi dhe përfaqësia e Bashkësisë Fetare Islame, në cilësinë e së cilës myftiu i Shkupit Qenan Ismaili vlerësoi rëndësinë e rezistencës aktive kundrejt angazhimeve të ndryshme historike dhe aktuale për tjetërsimin e vendit dhe shoqërisë, duke falënderuar veçanërisht Institutin për përpjekjet e tij në këtë drejtim.

Ndërkaq, këshilltari shkencor i ITSHKSH Zeqirija Ibrahimi vlerësoi: “Rrënimi i xhamisë “Burmali” nuk është thjesht rrënim i një faltoreje myslimane, sepse në Shkup janë rrënuar mbi 100 të tilla dhe askush nuk i ndërmend. Por, rrënimi i xhamisë “Burmali” është njësoj sikur t’i rrënohet Romës Koloseumi ose Kisha e Shën Pjetrit, sikur Stambollit t’i rrënohet Aja Sofija ose Parisit t’i rrënohet Porta Triumfale. Xhamia “Burmali” ishte bërthama e identitetit qytetërimor të Shkupit, andaj rrënimi i saj ishte tendencë për ta zhdukur atë shtresë qytetërimore.”.

Në përurimin që iu bë pullës re postale me figurën e xhamisë Burmali, drejtori i Filatelisë së Postës së RMV-së Gani Dardhishta tha se me lëshimin e saj mbahet gjallë kujtimi i kësaj xhamie si një simbol qindravjeçar i qytetit të Shkupit.

MARKETING