Shembull i rrallë në Evropë: Në Sarajevë, vendet e kultit të feve të ndryshme vetëm disa metra larg njëra-tjetrës

Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjë e Hercegovinës, prej kohësh njihet si qendra multietnike, multikulturore dhe multifetare e Evropës.
Është një shembull i rrallë në Evropë, sepse është një vend ku takohen fe, kultura, popuj dhe tradita të ndryshme. Ndërsa ecni nëpër “zemrën” e Sarajevës, përzihen tingujt e ezanit nga minaret e xhamive dhe kambanat e kishave.
Sarajeva e ka ruajtur frymën e saj të dallueshme të tolerancës dhe respektit ndërfetar edhe gjatë ditëve më të vështira të rrethimit në vitet 1990 dhe sot mund të shërbejë si një model për botën.
Që Sarajeva është një qytet unik konfirmohet edhe nga fakti se vetëm këtu, brenda një rrezeje prej disa qindra metrash, ndodhen ndërtesa fetare të hebrenjve, katolikëve, ortodoksëve dhe muslimanëve – sinagogë, katedrale, kishë ortodokse dhe xhami.
“Në një rrugë kemi xhami, kishën ortodokse, katedralen dhe sinagogën. Kjo është diçka që historia e ka bërë Sarajevën, e cila është një qendër e vërtetë multikulturore dhe multifetare e Evropës”, thotë për Anadolu, kryetari i Komunitetit Turistik të Kantonit të Sarajevës, Haris Fazllagiq.
Ai e cilëson këtë fakt si shumë interesant, sepse e gjithë Evropa ose Bashkimi Evropian po përpiqet të jetojë në një shoqëri shumëkulturore dhe një diversitet që ajo kultivon.
“Dhe Sarajeva e ka përjetuar këtë për 1.000 vitet e fundit dhe ndoshta më shumë”, tha ai, duke shtuar se kjo është ajo që tërheq më shumë turistët.
Fazllagiq thotë se turistët shpesh nuk mund ta besojnë që në një moment ndodhen në një pjesë të dominuar nga ndërtesat e periudhës osmane dhe vetëm pak metra larg janë ato të periudhës austro-hungareze, dhe më pas pjesa moderne, postkomuniste.
“Jemi krenarë për diversitetin unik”, theksoi ai, duke deklaruar se nuk ka askund tjetër në një vend kaq të vogël dhe në një distancë kaq të shkurtër që të ketë kaq shumë objekte fetare.
Pavarësisht të gjitha ngjarjeve të dekadave të fundit, fe të ndryshme dhe ndjekësit e tyre vazhdojnë të jetojnë në Sarajevë në një frymë tolerance dhe respekti të ndërsjellë.