Shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së kërkon ndalimin e transferimeve të armëve drejt Izraelit
Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, u bëri thirrje shteteve t’u japin fund transferimeve të armëve drejt Izraelit që rrezikojnë të përdoren për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa kompanive u kërkoi t’u japin fund praktikave të biznesit që mbështesin vendbanimet e paligjshme, transmeton Anadolu.
Duke folur në hapjen e sesionit të 63-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Turk tha se aneksimi nga Izraeli i Bregut Perëndimor të pushtuar po “zhvillohet, pa pengesa”, pavarësisht një vendimi të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Çfarë duhet të ndodhë më shumë që shtetet të ndërmarrin veprime për të parandaluar konsolidimin e pushtimit në gjithë territorin e përcaktuar për palestinezët sipas zgjidhjes me dy shtete?”, tha ai.
“Ato (shtetet) duhet t’i japin fund transferimit drejt Izraelit të armëve që rrezikojnë të përdoren për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare. Kompanitë gjithashtu duhet t’u japin fund praktikave të biznesit që mbështesin vendbanimet e paligjshme”, shtoi ai.
Shefi i të drejtave të njeriut tha se fjalët e dënimit “tingëllojnë boshe përballë shkeljeve të qëllimshme dhe vuajtjeve”, duke bërë thirrje për përpjekje më të mëdha ndërkombëtare drejt një paqeje të qëndrueshme.
Sa i përket Gazës, ai tha se Izraeli ka vrarë më shumë se 1.300 palestinezë në sulme të përditshme, pavarësisht armëpushimit të shpallur pothuajse një vit më parë, dhe vazhdon të kufizojë ndihmën humanitare.
Ai tha se është i tmerruar nga propozimet izraelite për dëbimin me forcë të të gjithë palestinezëve nga Rripi i Gazës, si dhe nga ekzekutimet dhe torturat e palestinezëve të dyshuar për bashkëpunim nga grupe të armatosura të lidhura me Hamasin.
– Turk bën thirrje për “vija të kuqe” për inteligjencën artificiale
Duke iu referuar inteligjencës artificiale, Turk bëri thirrje për një “përpjekje gjithëpërfshirëse” për vendosjen e “garancive të hekurta” për sigurinë e IA-së, duke paralajmëruar se inteligjenca artificiale e avancuar mund të përbëjë “rrezik ekzistencial për njerëzimin”.
“Të paktën, ne kemi nevojë që vendet ku zhvillohet IA-ja dhe ato të përfshira në zinxhirët e furnizimit të saj të bashkohen rreth vijave të kuqe të dakordësuara”, tha ai.
Sipas Turk, ai do t’u dërgojë letra kompanive të IA-së në ditët në vijim, duke u kërkuar të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur rreziqet.
Ai paralajmëroi se “një grusht njerëzish” kanë “pushtet pothuajse të pakufizuar mbi IA-në” dhe argumentoi se vonesat në vendosjen e një qeverisjeje efektive u shërbejnë kompanive të mëdha të teknologjisë, pronarëve të tyre dhe mbështetësve të tyre.
Duke iu referuar shqetësimeve për sistemet gjithnjë e më të fuqishme, Turk tha se IA-ja që mund të arratiset nga mjedisi i testimit ose të shantazhojë zhvilluesit për të parandaluar çaktivizimin e saj është “IA shumë e fuqishme”.
Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj ndikimit të IA-së në të drejtat e njeriut, përfshirë efektet e saj në praktikat e punësimit, parimet themelore të demokracisë dhe mjedisin.
Turk pranoi përparimin e fundit ndërkombëtar, përfshirë krijimin e Dialogut Global për IA-në dhe të Panelit Shkencor Ndërkombëtar të Pavarur për IA-në, por tha se qeveritë dhe kompanitë duhet t’u kushtojnë vëmendje shqetësimeve në rritje të publikut për këtë teknologji.

