Shefi i paqeruajtjes së OKB-së do të vizitojë Italinë dhe Turqinë për bisedime të nivelit të lartë
Jean-Pierre Lacroix, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për operacionet e paqes, do të udhëtojë në Itali dhe Turqi nga 4 deri më 7 maj për një seri takimesh të përqendruara në përpjekjet ndërkombëtare të paqeruajtjes, transmeton Anadolu.
Zv/zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, u tha gazetarëve se Lacroix do ta nisë vizitën e tij në Romë, ku më 4-5 maj pritet të zhvillojë bisedime dypalëshe me zyrtarë të qeverisë italiane “për të diskutuar çështje që lidhen me paqeruajtjen”.
Pas takimeve në Romë, Lacroix do të udhëtojë në Brindisi për të marrë pjesë në një konferencë që shënon 20-vjetorin e Kapacitetit të Përhershëm Policor të Kombeve të Bashkuara (SPC).
SPC është një kapacitet policor i OKB-së që mund të dislokohet me shpejtësi, i krijuar për të forcuar reagimin e hershëm policor në operacionet paqeruajtëse dhe misione të tjera.
Haq tha se Lacroix do ta përfundojë vizitën në Ankara më 7 maj, ku pritet të takohet me zyrtarë turq.
“Ai do të diskutojë mbështetjen e Turqisë për paqeruajtjen e OKB-së, përfshirë edhe si vend kontribuues me polici”, shtoi ai.

