Shefi i NATO-s: S’është momenti që Europa dhe SHBA-ja të veprojnë vetëm

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbajti një fjalim në Shkollën e Ekonomisë të Varshavës, ku shprehu mbështetje të fuqishme për rolin e aleancës dhe u tha si Europës ashtu edhe SHBA-së që, përballë sfidave gjithnjë e më të mëdha gjeopolitike, “ky nuk është momenti për të vepruar vetëm”, raporton The Guardian.
Ja disa nga pjesët kryesore të fjalimit të tij deri tani:
“E di që ka pyetje mbi fuqinë e lidhjes transatlantike dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Europës. Ka një retorikë të ashpër. Ka debate të vështira midis Europës dhe Amerikës mbi tregtinë dhe tarifat, dhe ka thirrje për të ringjallur idetë e autonomisë europiane. Le të jem absolutisht i qartë: ky nuk është momenti për të vepruar vetëm, as për Europën, as për Amerikën e Veriut”, tha ai.
“Sfida e sigurisë globale është shumë e madhe që ndonjë prej nesh ta përballojë i vetëm”.
“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Europës dhe Amerikës së Veriut, nuk ka alternativë ndaj NATO-s. Pa SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, Kanadanë, Norvegjinë dhe Islandën, është e pamundur të imagjinohet mbrojtja e Europës, dhe asgjë nuk mund ta zëvendësojë ombrellën bërthamore të Amerikës, e cila është garancia përfundimtare e sigurisë sonë”, tha shefi i NATO-s.
Rutte shtoi gjithashtu se është “absolutisht i bindur që Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj NATO-s dhe Nenit 5” duke vijuar: “Mos më besoni vetëm mua. Dëgjojeni Presidentin Trump, i cili ka deklaruar në mënyrë të përsëritur angazhimin e tij për një NATO të fortë. Dëgjoni mbështetjen e fuqishme dypartiake në Kongresin Amerikan. Dhe dëgjojeni popullin amerikan, tre të katërtat e të cilit mbështesin NATO-n, sipas një sondazhi të fundit”.