Shefi i diplomacisë iraniane viziton Pakistanin, Omanin dhe Rusinë
Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi do të nisë një tur rajonal në Pakistan, Oman dhe Rusi duke filluar nga sonte, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia zyrtare iraniane IRNA, vizita synon konsultime dypalëshe dhe diskutime mbi zhvillimet aktuale rajonale si dhe situatën më të fundit të luftës. Para njoftimit zyrtar, Irani dhe Pakistani zhvilluan kontakte intensive diplomatike.
Sipas zyrtarëve pakistanezë, Araghchi zhvilloi një telefonatë me homologun e tij pakistanez, Ishaq Dar, ku u diskutuan zhvillimet rajonale, armëpushimi dhe përpjekjet diplomatike në vijim. Ai gjithashtu zhvilloi bisedë telefonike me shefin e ushtrisë së Pakistan, Asim Munir, por nuk u dhanë detaje.
Duke u bazuar në këto kontakte, burime qeveritare pakistaneze thanë për Anadolu se Araghchi sot pritet të mbërrijë në Islamabad. Pakistani po intensifikon përpjekjet për të rikthyer një raund të dytë bisedimesh mes Iranit dhe SHBA-së.
Burimet thanë se diskutimet me Teheranin mund të hapin rrugën për negociata të reja pas raundit të parë të bisedimeve të drejtpërdrejta në Islamabad më 11 dhe 12 prill. Ato bisedime u zhvilluan pasi Pakistan ndërmjetësoi një armëpushim dyjavor më 8 prill, i cili më pas u zgjat nga presidenti amerikan Donald Trump, pa një afat të caktuar.
Zhvillimet vijnë mes tensioneve të vazhdueshme që nga fillimi i luftës më 28 shkurt ndërsa përpjekjet janë përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë për përfundimin e armiqësive.

