SHBA: Presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin detyrimet dhe zbatimin e marrëveshjeve

SHBA: Presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin detyrimet dhe zbatimin e marrëveshjeve

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është dakorduar nën patronazhin e Bashkimit Evropian, por themelimin e tij tani e kërkon Rusia.

Asociacioni, i cili tash e dhjetë vjet është shkak i përplasjeve midis Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë temë e diskutimit në Nju Jork, përkatësisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Këtë e ka paralajmëruar ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko.

Ai ka thënë se vendi “angazhohet për një diskutim produktiv për thelbin e problemeve, që janë vërtet akute për serbët, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, ka marrë kryesimin njëmujor të këtij organi në muajin prill.

Kryesimi i saj përkon me seancën e rregullt për Kosovën, e caktuar për datën 27 prill.

“SHBA dhe BE presin që të dyja palët të përmbushin detyrimet dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme nga dialogu, duke përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë që u konfirmua nga të dy liderët në takimin e 18 marsit në Ohër”, thotë DASH-i.

Më tej thuhet se “SHBA mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen e Serbisë dhe Kosovës në zbatim të marrëveshjen”.

Bashkimi Evropian ka njoftuar se të martën është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.

Marrëveshja është arritur më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa pajtueshmëria për aneksin e zbatimit, më 18 mars në Ohër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë të martën gazetarëve se Marrëveshja nuk paraqet tërësi të elementeve, por paraqet një pako në të cilën nuk mund të shkëputësh asnjë pjesë.

“Ne jemi zotuar, dhe e kemi ripërsëritur qëndrimin tonë, për zbatim të plotë të kësaj pakoje, të kësaj Marrëveshjeje bazë, dhe aneksit përkatës për implementim, dhe tash besoj që fjalën e ka Brukseli që ta detyrojë Serbinë për këtë“, ka thënë Kurti.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

MARKETING