SHBA nuk i nis Ukrainës tanket që kërkoi: Mos filloni tani ofensivë të re!

SHBA nuk i nis Ukrainës tanket që kërkoi: Mos filloni tani ofensivë të re!

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin deklaroi se SHBA-ja dhe aleatët e tjerë kanë mbledhur një paketë të re armësh për Ukrainën, që ata besojnë se është e mjaftueshme për sukses.

Por shefi i Pentagonit e pohoi se ndonëse paketa në fjalë përfshin tanke, Kievit nuk do t’i dërgohen tanket luftarake të prodhimit gjerman Leopard, që ka kërkuar Ukraina, ose tanket e amerikane, Abrams.

Kievi thotë se i duhen tanket Leopard të prodhimit gjerman për të zmbrapsur trupat ruse, por Kremlini ka paralajmëruar se çdo vendim i aleatëve për të dorëzuar tanket do të ishte një përshkallëzim “jashtëzakonisht i rrezikshëm” i situatës.

Rieksporti i Leopardëve kërkon miratimin e qeverisë gjermane, kështu që edhe vendet e tjera që i kanë këto tanke nuk mund t’i dërgojnë ato në Ukrainë pa këtë aprovim. Berlini nga ana e tij e kushtëzon nisjen e tankeve Leopard me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket Abrams, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë.

Zyrtarë të lartë amerikanë po e këshillojnë sakaq Ukrainën që të mos nisë një ofensivë të madhe kundër forcave ruse derisa të arrijnë furnizimet e fundit me armatim amerikan dhe të ofrohen trajnime. Amerikanët besojnë se ukrainasit do të ishin më të suksesshëm nëse fillimisht trajnohen të përdorin armatimet e reja. Ata po kështu po këshillojnë Ukrainën se si të kryejë luftën pa e ndjekur ritmin e Rusisë që po sulmon vazhdimisht me artileri sepse në fund Moska mund të fitojë avantazh nëse ndiqet kjo rrugë.

 

MARKETING