SHBA, identifikohen kufo’mat e 55 nga 67 personat pas përplasjes së avionit dhe helikopterit

SHBA, identifikohen kufo’mat e 55 nga 67 personat pas përplasjes së avionit dhe helikopterit

Gjithsej 55 kufoma u identifikuan deri dje nga aksidenti ku u përplasën një avion dhe një helikopter pranë aeroportit Reagan në Washington, transmeton Anadolu.

Shefi i Zjarrfikësve të Washington-it, John Donnelly, konfirmoi se 55 trupa janë identifikuar, por kërkimi në lumin Potomac mbetet sfidues pas aksidentit të javës së kaluar.

Në incident ishin përfshirë gjithsej 67 persona. Avioni i American Airlines kishte në bord 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, ndërsa helikopteri i ushtrisë me të cilin u përplas, mbante tre ushtarë. Nga akisdenti nuk kishte asnjë të mbijetuar.

“Dukshmëria është pothuajse zero në ujërat e ftohta”, tha ai, duke shtuar se mbetjet e avionit paraqesin rrezik me mbeturinat dhe metalet e mprehta.

Përpjekjet për rikuperim kanë qenë të mëdha, duke përfshirë pothuajse çdo ekip zhytjeje në zonë, duke përfshirë Rojet Bregdetare të SHBA-së, FBI-së, si dhe ekipet nga Shoqata Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, siç raportohet nga CNN.

Sekretarit të Transportit, Sean Duffy, avioni u nda në disa pjesë. Trupi i avionit u gjet me kokë poshtë në tre seksione në lumë, i cili është rreth 2,43 metra (8 këmbë) i thellë në disa zona.

Zyrtarë të ekipeve të kërkimit shprehen se janë të rraskapitur, duke shpjeguar se ata vetëm bëjnë gjumë “vërtet të thellë” përpara se të zgjohen për “t’u kthyer në punë dhe të bëjnë gjithçka përsëri”, por shprehen se do të vazhdojnë përpjekjet deri sa të jetë e nevojshme.

Mbetjet e avionit në Potomac e kanë bërë veçanërisht të vështirë për ekipet e zhytjes që të arrijnë në pjesë të avionit ku besohet se mund të ketë më shumë kufoma.

Ekipet kanë pritur për pajisje më të rënda shpëtimi, të cilat pritet të mbërrijnë së shpejti.

Ekuipazhet sot po përgatiten për “një operacion mjaft të komplikuar” për të hequr pjesët e avionit nga uji.

Një vinç i madh, i përdorur më parë pas shembjes së urës Francis Scott Key të vitit të kaluar, do të sillet për të ndihmuar në ngritjen e pjesëve të avionit dhe rikuperimin e viktimave të bllokuara brenda.

Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë kishte thënë se heqja e rrënojave do të fillojë sot, me përpjekjet që më pas do të kalojnë në rikuperimin e helikopterit Black Hawk të përfshirë në përplasje.

Aktualisht, ekipet po i japin përparësi sigurisë dhe ruajtjes së provave për hetimin. Burimet lokale raportojnë se largimi i të gjitha rrënojave pritet të zgjasë deri më 12 shkurt.

MARKETING