Shaqiri: Grupi parlamentar i “VLEN”-it së shpejti do të dalë me propozim- metodologji për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale

Grupi parlamentar i “VLEN”-it së shpejti do të dalë me propozim-metodologji për liderët e tyre dhe mënyrën e bashkëpunimit në zgjedhjet lokale. Plani që duhet të marrin liderët do të jetë metodologjia për ndarjen e pozitave në listat e këshilltarëve komunal në përqindje, plus pozitat e bartësve të listave dhe kandidatëve për kryetarë komunash. Ky ishte qëndrimi i deputetit nga Aleanca për shqiptarët lidhur me debatin e brendshëm në Koalicionin VLEN se si të dilet në zgjedhje lokale, veçmas apo me lista të përbashkëta për këshilltarë.
“Si grup parlamentar brenda ‘VLEN’-it kemi pasur dy takime – një joformal dhe një formal, ku kemi diskutuar mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale. Në atë takim kemi biseduar për metodologjinë e ndarjes së pozitave në administratën e komunës dhe formën e daljes në zgjedhje. Ka pasur dy forma – një formë e daljes në zgjedhje veç e veç dhe një formë e daljes në aspekt të përbashkët si koalicion. Në tavolinë janë të dyja versionet”, tha Shaqiri.
Deputeti thekson se ka më shumë pajtueshmëri në lidhje me atë që në zgjedhje të shkohet me lista të përbashkëta dhe harmonizim të qëndrimeve për ndarjen e komunave, siç tha ai, “ku janë në përputhje me shtrirjen e subjekteve politike në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut si strukturë partiake”.
Ai informoi se javën e ardhshme do të mblidhet grupi parlamentar dhe pritet që të harmonizohen qëndrimet për ndarjen e pozicioneve.