Sezoni i ri, Real Madridi i vjetër: Edicioni 25/26 është i manipuluar

Udhëheqësia e La Ligës spanjolle ka refuzuar kërkesën e Real Madridit për të shtyrë ndeshjen ndaj Osasunës, e planifikuar më 19 gusht.
Klubi madrilen kërkoi shtyrjen duke argumentuar se lojtarët e tij ishin ende të lodhur nga sezoni i kaluar, ku disa prej tyre zhvilluan mbi 60 ndeshje.
“Ne e dorëzuam kërkesën për shtyrje më 9 qershor, duke qenë të vetëdijshëm që lojtarët tanë nuk do të kishin kohë të mjaftueshme pushimi pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës për Klube.
U përgjigjën vetëm më 31 korrik. Deri atëherë, na injoruan plotësisht. Kjo është një mbyllje ndaj logjikës, mjekësisë sportive dhe integritetit të garës,” u shpreh një nga prezantuesit në Real Madrid TV.
Në transmetim, u përmend gjithashtu se presidenti i La Ligës, Javier Tebas, është një kritik i hapur i klubit: “Javier Tebas është një kundërshtar i njohur i Real Madridit. Ai e refuzoi hapur shtyrjen e ndeshjes. Kjo është një formë manipulimi. Sezoni 2025/26 në Spanjë është i paracaktuar. Nuk po e fillojmë me kushte të barabarta”.
Real Madridi mori pjesë në Kupën e Botës për Klube, e cila përfundoi më 14 korrik. Lojtarët e klubit janë aktualisht me pushime, dhe drejtuesit kanë frikë se nuk do të jenë gati fizikisht për sezonin e ri.
Megjithëse nuk fituan asnjë trofe të madh në sezonin e kaluar, “Los Blancos” triumfuan në Superkupën e UEFA-s dhe në Kupën Ndërkontinentale.