Serbia merr trupin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, pritet të mbërrijë sot në Beograd

Serbia merr trupin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, pritet të mbërrijë sot në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se sipas informacioneve që ka marrë, trupi i kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq është marrë në Hagë dhe pritet të mbërrijë në Serbi në orët e vona të pasdites, raporton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Gjatë një vizite në qytetin Ada, Vuçiq tha se pret që djali i Mlladiqit, Darko, në orët dhe ditët në vijim ta njoftojë opinionin për dëshirat e familjes lidhur me funeralin e Mlladiqit, i cili vdiq javën e kaluar në Hagë.

“Me sa jam informuar, trupi është marrë dhe në orët e vona të pasdites pritet të mbërrijë në Serbi”, tha Vuçiq, duke shtuar se shteti do të jetë i gatshëm të ofrojë çdo lloj mbështetjeje logjistike, transporti dhe tjetër, si dhe të ndihmojë në ruajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike.

“Do të jemi aty për të ofruar çdo lloj mbështetjeje logjistike dhe transporti, si dhe për të ruajtur rendin, qetësinë dhe sigurinë publike”, shtoi ai.

Presidenti serb tha se do të jetë e rëndësishme të garantohet siguria e të gjithë të pranishmëve, duke marrë parasysh vlerësimet e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit, Agjencisë së Sigurisë Ushtarake dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për numrin e mundshëm të personave që do të marrin pjesë.

Mlladiq, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Sërpska u dënua me burgim të përjetshëm në qershor të vitit 2021 për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it. Ai vdiq më 27 gusht në paraburgim në Hagë.

MARKETING